Beqaj: Nëse vërtetohet se ka pazare politike nuk duhet të amnistohet askush, as Kurti

Prishtinë | 06 Pri 2021 | 20:48 | Nga Ekonomia Online

Politologu Belul Beqaj ka folur mbi mundësinë e pazareve për të arritur votimin për Vjosa Osmanin si presidente, e cila u bë të dielën.

Ai në Desku të KTV-së ka thënë se diskutimet e fundit të cilat u bënë rreth mundësisë së pazareve lidhur me këtë çështje janë të natyrshme, sipas tij, “për shkak të kulturës politike që është kryer për 20 vjet”.

Beqaj ka shtuar se janë bërë negociata për atë çështje dhe se sipas tij, ato kanë qenë të logjikshme.

“Partia ka interes që të kujdeset për anëtarësinë e vet ndërsa poltikbërja duhet të merret me realizimin e kërkesave e nevojave të partive politike krahas faktit që janë në funksion të interesit të qytetarëve. Derisa ka kërkesa të tilla, nuk është çështje kontrabandimi dhe pazari nëse thua do mbështes Vjosa Osmanin nëse i kemi tri pozicione, shembull nënkryetar, sekretar, etj”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur komunikatën e PDK-së lëshuar pas kalimit të ish-deputetes së saj Adelina Graincës në LVV. Tha se ajo ishte e dëmshme. Nga ana tjetër, Beqaj tha se nëse vërtetohet ajo që është thënë në atë komunikatë, barrën e pazareve politike do të duhet ta bartin të gjithë, duke filluar nga kryeministri.

“Komunikata që ka dalë nga PDK ka qenë e dëmshme, është arsye që çdo prokuror ta marrë të shqyrtoj pikëpamjen e argumenteve pse ka akuzuar zonjës Grainca se ka përfituar materialisht, nëse vërtetohet se ka, por nëse nuk ka nuk mund të flitet me paragjykime. Nëse ka pazare, është çështje që ka të bëjë me prokurori dhe nuk duhet të amnistohet asnjëri, përfshirë kryeministrin Kurti dhe tjerët që janë përfshirë në pazare”, tha ai.

Të ngjashme