Betohen 180 ushtarët e rinj – Osmani: Do të jenë aty ku rrezikohet interesi i shtetit e aleatëve

Ferizaj | 22 Tet 2021 | 11:58 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

180 rekrutë të rinj i janë shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët janë betuar në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, raporton Ekonomia Online.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se FSK po forcohet çdo ditë edhe në shumë. Komandantja supreme ka garantuar se ushtarët e Kosovës do të jenë kudo që rrezikohen interesat e shtetit, të aleatëve amerikanë e evropianë.

Tutje ajo tha se këta ushtarë duhet ta bartin me krenari këtë uniformë, pasi sipas saj, është derdhur gjak për të.

“Sot është ditë e veçantë për ushtrinë tonë por edhe për shtetin tonë, sepse po certifikohen 180 rekrutë të rinj. Pra, prej sot, FSK-ja forcon radhët e veta dhe dëshmon përkushtimin e vajzave e djemve, të cilët nga sot marrin përgjegjësi të reja mbi vete. Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë. Këta 180 rekrutë, tashmë janë ushtarë të shtetit të Kosovës, të shtetit tonë të pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për t`’i dalë zot atdheut kurdo që të jetë nevoja”, tha ajo.

“Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së, të ushtrisë sonë, e cila është jo vetëm garancë e jona, por edhe partnere e përgatitur profesionalisht krahas me aleatët tanë strategjikë në funksion të paqes kudo ku rrezikohet ajo. Sot ndihem veçanërisht krenare, kur shoh që në mesin e 180 rekrutëve janë edhe 12 vajza ushtare sepse shanset e barabarta në kuadër të ushtrisë sonë gjithnjë janë dëshmi e përparimit të Forcës.  Historia jonë është përplot me gra të guximshme, të cilat e treguan vetën jo vetëm në luftë, por edhe sot teksa bartin uniformën e ushtrisë sonë e numri i tyre duhet të rritet edhe mëtej. Hapja e FSK-së ndaj vajzave e grave është jo vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri. Prandaj jam besimplote se me këto ushtare e ushtarë të ri, FSK-ja do të vazhdojë zgjerimin e kapaciteteve operacionale dhe do të jetë ndërvepruese me partnerët tanë strategjik”, u shpreh Osmani raporton EO.

Irfete Spahiu, gjeneral brigade, tha se rekrutët e rinj duhet ta konsiderojnë vetën më shumë ushtarë të Kosovës. 

“Për mua si komandante e stërvitjes është një privilegj, mirëpo është edhe mund për juve që këto javë i kaluat. Ju uroj mirëseardhje juve që kaluat këto stërvitje 9 javëshe. Ne mund të themi se kjo gjeneratë për performancë”.

“Kalimi nga jeta civile në atë ushtarake është e vështirë, prandaj kërkohet që të jeni përkushtim dhe sakrificë dhe kjo u arrit falë punës dhe angazhimit tuaj. Konsideroheni vetën si shërbyes të Kosovës dhe jo shërbyes të FSK-së”, tha ajo.

Në këtë ceremoni kanë marrë edhe kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë, raporton EO.

Fjalimi i plotë i presidentes.

Sot është ditë e veçantë për ushtrinë tonë por edhe për shtetin tonë, sepse po certifikohen 180 rekrutë të rinj. Pra, prej sot, FSK-ja forcon radhët e veta dhe dëshmon përkushtimin e vajzave e djemve, të cilët nga sot marrin përgjegjësi të reja mbi vete.

Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë. Këta 180 rekrutë, tashmë janë ushtarë të shtetit të Kosovës, të shtetit tonë të pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për t`i dalë zot atdheut kurdo që të jetë nevoja.

Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së, të ushtrisë sonë, e cila është jo vetëm garancë e jona, por edhe partnere e përgatitur profesionalisht krahas me aleatët tanë strategjikë në funksion të paqes kudo ku rrezikohet ajo.

Sot ndihem veçanërisht krenare, kur shoh që në mesin e 180 rekrutëve janë edhe 12 vajza ushtare sepse shanset e barabarta në kuadër të ushtrisë sonë gjithnjë janë dëshmi e përparimit të Forcës.  Historia jonë është përplot me gra të guximshme, të cilat e treguan vetën jo vetëm në luftë, por edhe sot teksa bartin uniformën e ushtrisë sonë e numri i tyre duhet të rritet edhe mëtej.

Hapja e FSK-së ndaj vajzave e grave është jo vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri. Prandaj jam besimplote se me këto ushtare e ushtarë të ri, FSK-ja do të vazhdojë zgjerimin e kapaciteteve operacionale dhe do të jetë ndërvepruese me partnerët tanë strategjik.

Të nderuar të pranishëm,

E ardhmja garantohet duke e ndërtuar atë, prandaj me certifikimin e sotëm po zgjerohet baza e Forcave tona të Armatosura, respektivisht e Republikës së Kosovës.

Ju jeni sot këtu për t`u dalë në ballë sfidave, ndaj rritja e profesionalizmit është një proces i pandërprerë dhe parakusht për sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.

Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, sikurse edhe të aleancës sonë me partnerët në shërbim të paqes.

Ushtarët tanë do të jenë kudo që rrezikohen interesat tona, por edhe ato të aleatëve tanë amerikanë e evropianë e më gjerë.

Siç e dini ju, FSK-ja ndodhet në proces të transformimit dhe arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale. Ndaj, në këtë kontekst, s`kam fije dyshimi se qoftë përgatitja taktiko-fizike dhe operacionale e ushtarëve të Forcës është dhe do të jetë në nivelin e lartë dhe konform standardeve të kërkuara.

Ushtare e ushtarë të nderuar, ju duhet ta keni vëmendjen tuaj se sot jeni ushtarë të një Republike për të cilën është derdhur shumë gjak, është sakrifikuar shumë për uniformat që ju i bartni sot. Prandaj bartni ato me krenarinë më të madhe për një të ardhme që shpresojmë do të jetë e ardhme e Republikës sonë brenda Aleancës Veri-Atlantike – NATO-s. Në ushtrinë e kombeve, ne do të përfaqësohemi dinjitetshëm nga secili prej jush me profesionalizëm, duke ngre lart flamurin dhe nderin e shtetit të Kosovës.

Ju uroj të gjithëve suksese në rrugëtimin tuaj në ushtrinë e Kosovës. Uroj të jeni në krye të zbatimit të detyrave me profesionalizëm me integritet e me ndershmëri. Kam besimin e plotë se do të angazhoheni me përkushtim e përgjegjësi në përmbushjen e misionit tuaj!

Zoti ju bekoftë!

Zoti i bekoftë forcat tona të armatosura!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!

Ju faleminderit!        

Të ngjashme