Deputetët akuzojnë Vetëvendosjen se është e vetmja parti që ka marrë “zarfa” nga Devollët

Prishtinë | 12 Tet 2020 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë akuza të forta në drejtim të lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se kjo parti financohet nga Devollët.

Kjo ndodh pasi mbiemri Devolli u përmend shumë nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje teksa u fol për ndryshimin e nenit për homologim, në kuadër të ligjit për automjete, sot në Kuvendin e Kosovës.

“Nëse për një parti është e dokumentuar që financohet nga Devollët, është Vetevendosje. Atë e ka thënë vetë ish deputeti i VV, Florin Krasniqi. Pra, në këtë rast, LVV dhe Albin Kurti janë një subjekt dhe një lider i një partie politike që financohen nga Devollët”, ka thënë deputeti i PDK-së Abelard Tahiri, gjatë fjalimit të tij në Kuvend.

Ai ka vazhduar kritikat ndaj Vetëvendosjes, por edhe ndaj qeverisë, duke thënë se me ndryshimin e nenit për homologim te ligji për automjetet, po duan t’ia zhvatin shtetit edhe 30 milionë euro, meqë, sipas tij, kompania që ka bërë kontratë për homologim, mund ta qojë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.

“Kjo nuk është kurrgjë më shumë se një iniciative që do të përfundojë në arbitrazh. Po shihet se jeni të gatshëm të procedoni shpejt…”, ka thënë Tahiri. “Pikërisht ky është shqetësimi im, te kontrata. Kam njohuri që në kontratën e re është paraparë një klauzolë ku flet për arbitrazhin. Ne e kemi përfaqësuesin e qeverisë këtu dhe ai është mirë të na tregojë a është kështu apo jo. Në situatën ku jemi ky është rreziku”.

E akuza se VV po dëshiron t’u ndihmojë Devollëve, pikërisht me këtë ligj, bëri edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Komentet e Gashit, por edhe të Tahirit, erdhën pasi deputeti Hekuran Murati doli ta arsyetojë ndryshimin e nenit për homologim në ligjin për automjete. Sipas tij, qëllimi i VV-së është që të ndryshohet një nen në mënyrë që të hiqet obligimi për homologim për mjetet rrugore të reja që kanë certifikatë konformiteti si dhe për automjetet rrugore të përdorura që importohen nga vendet që kanë standarde të ngjashme me Republikën e Kosovës siç janë vendet e Bashkimit Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.

“Detyrimi për të homologuar mjetet rrugore te reja dhe të përdorura që importohen nga vendet që kanë standard të ngjashme me Kosovën nuk paraqet ndonjë vlerë të shtuar për qytetarët…”, ka thënë ai, teksa ka shkruar se veturat veçse përmbushin standardet e qarkullimit në rrugët e Republikës së Kosovës.

Gashi ishte i rreptë teksa reagoi në lidhje me këto që tha Murati, pasi, sipas kryedeputetit të LDK-së, VV, me këtë propozim, nuk po dëshiron të rregullojë asgjë, por po do ta largoje detyrimin për homologim vetëm për një pjesë të vogël të veturave.

“Pra, ato që janë t’u vozit, që janë të regjistruara, nuk kanë me ba certifikatën e konformitetit. Krejt tjerat që vijnë me kamionë, që janë pjesa më e madhe e automjeteve, duhet me shku prape të Devolli. Je tu ja dhënë monopolin Devollit e kjo është cka je tu ba ti”, i ka thënë Gashi deputetit të Vetëvendosjes Hekuran Murati.

LDK vazhdoi akuzat duke thënë se projektligji i propozuar nga VV “është shumë i thjeshtë, fatkeqësisht shumë keq i arsyetuar dhe gabimisht i shkruar” që nuk e zgjidh këtë problem ndërsa bëri thirrje që ai të rishikohet në tërësi. Sipas tij, LDK ka problem sepse, sic shtoi, ky projektligj nuk ka mendim të qeverisë.

E përfaqësuesi i qeverisë, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka thënë se ligji për automjete ka nevojë për ndryshime shumë më rrënjësore, e jo vetëm në një nen, sikur që po propozon VV. Ai shtoi se qeveria do të dalë me propozimin e saj të ri dhe do ta dërgojë atë në Kuvend kah fundit i vitit, e ku do të propozohen edhe ndryshime te çështja e regjistrimit, ajo e targave, kontrollit teknik, patentshoferëve….

Kritik me qasjen e Vetëvendosjen në lidhje me votimin e nenit të ndryshuar për homologim është shfaqur edhe deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, që tha se pajtohet me vërejtjet e LDK-së dhe se partia e tij do ta votonte këtë ligj sikur të përfshinte edhe veturat e ardhura me kamionë, madje edhe sikur ky ligj ta kishte emrin “Lëvizja Vetëvendosje”.

Por, ky nuk ndali vërejtjet karshi partisë së së Albin Kurtit për të cilën tha se po mundohet të bëjë një lojë tjetër, duke u thënë deputetëve tjerë se nuk po guxojnë ta votojnë propozimin në fjalë.

Në këtë temë, ai akuzoi VV se është kjo parti që nuk po voton projektligje me rëndësi në parlament.

“Pse nuk guxuat ta votoni ligjin për rimëkëmbjen ekonomike nëse jeni në krah të qytetarit. Prej kujt nuk jeni duke guxuar?”, pyeti ai, teksa tha se nuk ka gjë të keqe nëse ku ligj ua mundëson qytetarëve të marrin 10 për qind të kursimeve në Trust, nëse duan ta bëjnë një gjë të tillë. “Prandaj, edhe qasja e tillë duke përmend emra të përveçëm e kompani të përveçme është gabim. Me ligj i kanë. Ndryshojeni ligjin, veproni, e mos iu drejtoni dikujt guxon ose nuk guxon. Nëpër jahte jeni shëtit edhe ju të Vetëvendosjes”.

Propozimi i Vetëvendosjes, që sipas LDK-së dhe AAK-së ishe jo i bindshëm dhe asgjë më shumë se vetëm një përpjekje për ta forcuar monopolin e Devollëve në homologim, megjithatë nuk kaloi në Kuvend, pasi nuk siguroi më tepër se 30 vota në përpjekjen e parë.

10 deputetë ishin kundër ndërsa një abstenoi.

Në mungesë të kuorumit, propozimi mbeti të votohet një herë tjetër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme