Deputetët kërkojnë përgjegjësi për gjendjen e kullave të Jasharajve

Prishtinë | 12 Shk 2018 | 11:48 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka dështuar të mbajë mbledhjen e radhës në mungesë të kuorumit, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse sipas rendit të ditës komisioni kishte për të diskutuar nismën legjislative për Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, u tha se kjo pikë ishte gabimisht në agjendë.

Gjendja e kullave të Jasharajve nuk është e mirë dhe është kërkuar intervenim urgjent e përgjegjësi, nga anëtarët e këtij komisioni.

Përderisa javën e kaluar komisioni kishte miratuar nismën për procedim të Projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Qeveri.

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, para medieve tha presin që shpejtë të përfundojnë edhe procedurat tjera, me qenëse drafti është i gatshëm dhe është shqyrtuar në hollësi. Aliu deklaroi se nëse ka për çka të jepet përgjegjësi për gjendjen në kompleks këtë duhet ta bëjë dikush.

“Nuk është faji i medieve, nuk mund të jetë faji i medieve natyrisht. Janë përgjegjësit që duhet t’i shkojnë deri në fund kësaj pune që të hetohen sakt përgjegjësit. Po që se ka për çka të jepet përgjegjësi duhet të japë përgjegjësi. Nëse ka pasur financa të ndara dikur dhe nuk ka ndodhur asgjë, nuk kemi ndonjë progres në këtë kompleks memorial, natyrisht që duhet të jap dikush përgjegjësi”, tha Aliu duke shtuar se ky ligj hap mundësi që të intervenohet dhe të bëhet konservimi i kullave.

Sipas Aliut, ligji mundëson që të merren masa në mënyrë që këto kulla të kenë jetë sa më të gjatë dhe të jenë të qasshme për të gjithë që dëshirojnë të njihen historinë tonë çlirimtare dhe me luftën që ka ndodhur.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, e cila është edhe nënkryetare e komisionit, ka kërkuar auditimin e financave të Agjencisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore.

“Ne duhet të ecim krahas që ta shpëtojmë kompleksin por duhet të punojmë dhe të bëjmë auditim e monitorim të mjeteve të cilat janë shpenzuar dhe njerëzit përgjegjës të cilët paratë nuk i kanë dedikuar aty ku i kanë ndarë taksapaguesit e Republikës së Kosovës sepse kështu nuk shkon. Në qoftëse do e shohim që edhe këtu janë manipuluar paratë deri në këtë pikë atëherë kjo nuk do koment, edhe pse unë nuk dyshoj që edhe këtu ka mund të ndodhë”, tha Gaxherri.

Ajo bëri të ditur se anëtarët e komisionit do të vizitojnë kompleksin, derisa shtoi se rrëzimi eventual i kullave të Jasharajve do të ishte turp për institucionet e Kosovës.

“Do ta përcjellim situatën, do të shkojmë ta bëjmë një vizitë dhe do të mundohemi që brenda kornizës ligjore të marrim masa urgjente që ky kompleks të shpëtojë sepse vërtetë do të jetë turp për institucionet e vendit nëse do të shkatërrohet kompleksi”, tha Gaxherri.

Ky projektligji ka mbetur pa u miratuar në legjislaturën e kaluar për shkak të zgjedhjeve. Ai pritet që tu nënshtrohet sërish procedurave.

Kuvendi në mars të vitit të kaluar kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Për këtë Projektligj 56 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër dhe 5 kanë abstenuar.

Të ngjashme