Deputetja e Listës Guxo deklarohet për tërheqjen e parave të Trustit

Prishtinë | 16 Maj 2022 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Kërkesa për votimin e projektligjit për Trustin po vazhdon nga opozita.

Edhe sot, AAK dhe PDK në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, kanë bërë thirrje që të sillet për votim në Kuvend, derisa i kanë bërë thirrje edhe deputetëve të mazhorancës që ta votojnë këtë projektligj dhe në këtë mënyrë të ndihmohen qytetarët, duke marrë një pjesë të kursimeve të Trustit.

Në anën tjetër, Qeveria ende po lëshon pe lidhur me këtë çështje, derisa sipas saj, kjo tërheqje nuk do të zgjidhte krizën ekonomike.

Ndërsa, deputetja e Listës Guxo, Doarsa Kica-Xhelili, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se këtë temë do ta diskutojnë në Grupin Parlamentar dhe më pas do ta marrin vendimin, pasi ta kenë diskutuar e analizuar edhe me ekspertë të fushës.

“Do ta diskutojmë në Grup Parlamentar si propozim, dhe vendimin e marrim pasi ta kemi analizuar kërkesën nën prizmin e ndikimit që mund ta ketë qoftë në kuptimin afatshkurtër apo afatgjatë, pasi të kemi diskutuar me njohës të fushës, dhe vetëm pasi të jemi bindur për arsyeshmërinë e cilitdo vendim që e marrim”, ka deklaruar Kica Xhelili për Gazeta Blic.

Kurse, deputeti Burim Meta, ditë më parë kishte deklaruar për Gazeta Blic se nuk e sheh të nevojshëm tërheqjen e mjeteve të Trustit.

Të ngjashme