Dumoshi: Në Pakon Emergjente për rini, kulturë dhe sport janë paraparë 5 milionë euro

Istog | 15 Kor 2020 | 13:54 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se në pakon emergjente, për rini, kulturë dhe sport janë paraparë 5 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Gjatë një vizite në Istog, Dumoshi tha se të rinjve duhet t’iu krijohen kushte që të mos migrojnë jashtë vendit.

“Presim dhe rishikimin e dytë, sa i përket buxhetit. Kryeministri Hoti ka paraparë pakon për rini, kulturë dhe sport prej 5 milionë euro. Të rinjve duhet t’iu krijojmë kushte në mënyrë që të mos migrojnë jashtë vendit”.

Ministrja e MKRS-së i bëri komentet gjatë një vizite sot në komunën e Istogut, ku u prit nga kryetari Haki Rugova.

Dumoshi theksoi se është kënaqësi të jetë në Istog, vend që njihet për natyrën e shkëlqyer.

Sipas saj, prioritet në këtë komunë do të jetë zhvillimi i turizmit malor, sikurse dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore.

Ajo tregoi se Komuna e Istogut është e përfshirë në projektet e trashëgimisë me 7 projekte.

“Lajmi me i mirë që po kryhen këto punime dhe deri në shtator presim të përfundojnë. Realizimi i qendrave është objektivi kryesor… Do ta fusim në projekt edhe projektin e memorialit ‘Ibrahim Rugova'”.

“Po ashtu prioritet e kemi edhe turizmin kulturor, sepse kjo komunë ka bjeshkë shumë të mira për ta bërë pjesë turistike”.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, falënderoi ministren për përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve në këtë komunë, raporton EO.

“Ne i kemi kryer disa punë edhe të stadiumi. Problemi kryesor është memoriali ‘Ibrahim Rugova’ dhe të shihet çka mund të bëhet në të ardhmen”, tha Rugova.

Të ngjashme