Elezi: KQZ-ja i është drejtuar disa institucioneve përfshirë edhe AKI-së për verifikimin e mijëra kandidatëve

Prishtinë | 20 Gus 2021 | 12:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për medie lidhur me procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, raporton Ekonomia Online.

Ai ka bërë të ditur se i janë drejtuar Këshillit Gjyqësor i Kosovës, ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ministrisë së Punëve të Jashtme, ministrisë së Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike.

“Janë dërguar në institucione të ndryshme shkresa të veçanta nga të cilat, në bazë të fushës së përgjegjësisë që mbulojnë, është kërkuar konfirmimi i përshtatshmërisë së kandidatëve me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave i është bashkangjitur edhe lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike dhe të cilët kanë kërkuar nga KQZ-ja që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Edhe rreth 2 mijë emra të tjera do të dërgohen së shpejti në këto institucione”.

“Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuar të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj është kërkuar për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë”.

“Këto shkresa janë dërguar në institucione të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës,  Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës”.

Elezi ka sqaruar se kanë kërkuar verifikim sa i përket nëse dikush nga kandidatët është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

Pastaj nëse kandidatët janë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës; nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe nëse janë përfaqësues diplomatik.

“Pikat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Prandaj, është kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të na dërguar emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”.

“Në përputhje me pikat ‘b’, ‘k’, ‘c’ dhe ‘g’ të nenit 29, është kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës; nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe nëse janë përfaqësues diplomatik”.

Sipas tij, kërkesë i është dorëzuar edhe AKI-së dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, raporton EO.

“Po ashtu, në përputhje me pikën ‘e’ të nenit 29, shkresa është dërguar edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Në mesin e institucioneve të tjera të cilave janë kontaktuar është edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Duke u mbështetur në detyrimet që dalin nga pikat ‘o’, ‘r’ dhe ‘s’ të nenit 29 është kërkuar nga ky institucion të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë subjekt i vendimit të PZAP-it për t’iu hequr e drejta për të qenë kandidat; nëse kanë dështuar të paguajnë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe nëse kanë dështuar t’i përmbahen ndonjë urdhëri të PZAP-it”.

Ai ka sqaruar se deri më 23 gusht duhet të përfundojë procesi i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve dhe presin përgjigje nga këto institucione më së largu deri më 24 gusht.

“Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-së, është planifikuar që deri më 23 gusht të përfundojë procesi i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve. Natyrisht se kjo po ndodhë edhe më shpejt dhe kjo do të krijojë më shumë kohë për këto institucione që të shqyrtojnë këto shkresa dhe të na kthejnë përgjigje. Po sipas planit operacional, do të presim përgjigje nga këto institucione më së largu deri më 24 gusht”.

Elezi shtoi se KQZ-ja do të marrë vendimet më së largu deri më 1 shtator për certifikim ose jo të kandidatëve.

“Pas pranimit të përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatis rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë kandidati, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendimet më së largu deri më 1 shtator”.

Ata që nuk pajtohen me vendimin e KQZ-së, Elezi thotë se mund t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme, përderisa afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator, raporton EO.

“Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”.

Të ngjashme