Glauk Konjufca priti në takim ish-Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping

Prishtinë | 14 Qer 2022 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga deputetja Shqipe Selimi dhe këshilltaret, priti sot në takim ish-Ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping, njëherësh edhe autor i librit “Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”, në të cilin dokumentohen masakrat e Serbisë kundër shqiptarëve të pambrojtur.

Në takimin miqësor, kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje z.Scharping për kontributin e tij të çmuar, siç tha, në themelet e lirisë dhe shtetësisë së vendit tonë, si dhe për përkrahjen e fuqishme e të vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e deritanishme.

Duke folur për integrimet euroatlantike, Kryetari i Kuvendit theksoi se Republika e Kosovës ndodhet në proceset e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, dhe se pret vazhdimin e mbështetjes së fuqishme nga Gjermania mike.

Vizita e z.Scharping përkon me 23 vjetorin e Ditës së Çlirimit, derisa kryetari Konjufca nënvizoi se përgjatë kësaj periudhe në Kosovë kanë ndodhur ndryshime të theksuara pozitive në konsolidimin e institucioneve tona demokratike, të shtetësisë dhe integrimeve evropiane.

Ish-Ministri Gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, pasi e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, u shpreh i entuziazmuar me përparimin dhe të arriturat e Kosovës. ​

Të ngjashme