Hajdari: Si deputet, do të jem zëri i grave të Kosovës

Prishtinë | 05 Sht 2019 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së në Drenas, Petrit Hajdari ka takuar strukturën e gruas së kësaj partie, ku edhe është zotuar se do të japë kontribut në drejtim të avancimit të barazisë gjinore, raporton EkonomiaOnline.

Ai tha se si deputet, do të jetë edhe zëri i grave të Kosovës.

Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:

Nuk thuhet kot që një vend është aq i përparuar, sa është e përparuar gruaja aty. Trajtimi i gruas në vendin tonë jo rrallëherë ka lënë për të dëshiruar. Megjithatë, pavarësisht pengesave që kanë ardhur kryesisht nga shoqëria e nga kultura, ato ia kanë dalë vazhdimisht të jenë shtyllë kontributdhënëse si në familje, si në kauza të larta të kombit.

Zotimi për kontribut në drejtim të avancimit të barazisë gjinore është obligimi të cilin e kam më së shumti për kënaqësi. Veç kësaj, ky është një kontribut që s’do të ishte veçse vazhdim i natyrshëm i veprimtarisë sime në Asamblenë Komunale dhe në Zyrën e Kryeministrit – Departamenti për Barazi Gjinore.

Për më tepër, do të ishte edhe vazhdim i linjës së ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës e cila edhe në Komunën e Drenasit, edhe në nivel qendror, i ka dhënë gruas pozicionin shtyllor që ajo e meriton në politikëbërje. Duhet theksuar se Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë edhe një hap më tej në këtë drejtim duke ua besuar 70% të drejtorive vajzave dhe grave. Për hir të së vërtetës, ashtu si çdokund tjetër, performanca e tyre nuk ka zhgënjyer fare dhe ato e kanë vërtetuar që kjo përqindje nuk vjen vetëm përshkak të gjinisë, por edhe përshkak të performancës.

Prandaj ishte kënaqësi e veçantë për mua që të takohem me Strukturën e Gruas në PDK dhe të vizitoj panairin me produkte të prodhuara kryesisht nga puna e grave.

Si deputet, do të jem edhe zëri i grave të Kosovës, sepse ato gjithmonë kanë qenë e do të jenë zëri ynë.

Petrit E. Hajdari

Të ngjashme