Haki Abazi: Gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga Thaçi masë ekstreme dhe e panevojshme

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 23:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi,  e ka kundërshtuar propozimin e shpalljen së gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.

Qeveria vlerëson se nuk është e nevojshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme e propozuar pak më parë nga presidenti dhe se kjo është një masë ekstreme.

“Kryeministri Kurti nuk është në pajtueshmëri të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Ne mendojmë se për një gjendje të tillë mendojmë se duhet të përcillet situata dhe kur të jetë nevoja. Nuk do të duhej të merrnim një vendim të tillë”, tha Abazi, në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë.

“Ajo që është propozuar gjendja  e jashtëzakonshme është e panevojshme, masë ekstreme dhe mund të interferojë në masat që ka marrë Qeveria”, theksoi Abazi, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka nën kontroll menaxhimin e situatës për shkak të Coronavirusit; ndërsa tha se nga qytetarët duhet respektim edhe më i madh i rregullave.

“Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është raportuar për veprimet që janë marrë veç e veç. Deri tani kemi 19 të infektuar, fatmirësisht asnjë me fatalitet. 6 nga ta janë duke u trajtuar në shtëpi’’.

‘’Kosova është shteti i parë në rajon që ka mbyllur shkollat. Kemi përcjellë edhe vendet e jashtme për situatën çfarë po ndodhë’’.

Abazi tha se Qeveria e ka mbështetjen edhe nga partneri i koalicionit qeverisës, pra nda Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Nuk kemi asnjë mëdyshje dhe asnjë dallim”, shtoi ai.

Por, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një postim më herët gjatë ditës është shprehur në favor të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili vjen nga radhët e LDK-së, tha se gjendja është serioze dhe përkrahu shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Dekreti i propozuar nga presidenti Thaçi duhet të votohet (për ose kundër) brenda 48 orësh në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme