Haradinaj: Ekziston një mafi që ka blerë energji për Kosovën

Prishtinë | 17 Pri 2019 | 16:04 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ndërmarrja “Kosova e Re”, nuk është privatizim por investim privat që i siguron vendit të hyra, raporton Ekonomia Online.

Kreu i ekzekutivit, u bëri thirrje deputetëve që të mos e gjykojnë keq për këtë projekt.

“Investim privat që i kalon një milion dollar. Është investimi më i madh. Nuk është privatizim, është vetëm investim privat. Parja nuk është e Qeverisë, nuk garanton kredinë dhe Kosova me këtë investim menjëherë fillon me shti të hyra për publikun.  Ky projekt është avancuar në masë të madhe nga Qeveria para meje dhe ministrat nga LDK-ja e dinë si ka ndodhë kjo. Janë konsulta edhe ditën e nënshkrimit dhe është marrë vendim për nënshkrim. Kanë qenë pjesë e këtij nënshkrimi”, tha Haradinaj.

Në seancën me interpelancën e dytë për sot, me Ministrin e  Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kryeministri Haradinaj, tha se më parë është blerë mbi 650 milionë euro energji jashtë vendit dhe është marrë energji prej Serbisë. Madje sipas tij, ekziston një mafi i energjisë që ka ble energji për Kosovën.

“A mundeni pak me i bë disa krahasime. A është e vërtetë që ne kemi ble mbi 650 milionë euro energji jashtë vendit. Nëse i kemi ble a ika ble Kosova dhe a bën me iu vet ku i ke ble. E kemi marrë prej Serbisë energjinë.  Nëse vazhdojmë me ble prapë energji në vitet në vazhdon prej kujt kemi me ble, prej atij më së afërmi. E ndalim nevojën për me ble energji prej jashtë me këtë projekt. Unë jam i vetëdijshëm se investitori nuk ka ardhur për bamirësi por unë e di që ekziston një mafi i energjisë që ka ble energji për Kosovën që 20-vjet, kombëtar e ndërkombëtar”, shtoi Haradinaj, raporton EO.

Sipas Haradinajt, Kosova duhet të jetë e hapur për energjinë alternative.

Interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është si kërkesë e Partisë Socialdemokrate, i mbështetur nga 11 deputetë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ka replikuar kryeministrit Ramush Haradinaj. Sipas Konjufcës, plani për energjinë elektrike në Kosovë do të ndikojë direkt në xhepin e qytetarëve.

“Ne po e kuptojmë këtë strategji të kryeministrit kur po thotë ju keni qenë kundër energjisë elektrike. Unë po i them se këtu ka trokit në derë të hapur. Kryeministër ne pajtohemi plotësisht që Kosova ka nevojë për prodhimin e energjisë elektrike. Askush nuk tha që Kosova nuk ka nevojë. Planin që e ke përzgjedhë është plan që në xhepin e qytetarëve të Kosovës ndikon drejtpërdrejt. Kjo është kritika jonë. Në tregun e termocentraleve në botë një megavat kushton 1 milion euro”, tha Konjufca.

Përgjigje pati kryeministri Haradinaj.

“Ashtu qysh nuk dyshoj që plot deputetë shqetësimet i kanë të bazuar, po ashtu nuk dyshoj që edhe ju Glauk e VV-ja ka dëshirë që Kosova me pasë prodhim energjik. Megjithatë unë i përmenda konsekuencat. Kur po thoni ju sa kushton një megavat. Krahasoma mu me cilin krahasues je tu krahasu.  Kjo marrëveshje për investim me Contur Global është investim i adresave të garantuara. Teknologjia që po vjen te ne nuk është teknologji që të zhgënjen brenda dhjetë viteve. Ne nuk mund ta ndërtojmë një termocentral vetë pasi jemi të pa aftë pasi mungon ekspertiza”, u përgjigj Haradinaj.

Të ngjashme