Haradinaj kërkon raport të detajuar në lidhje me gylenistët

Prishtinë | 29 Mar 2018 | 20:48 | Nga

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sqarime të detajuara nga institucionet përgjegjëse në lidhje me arrestimin e gjashtë shtetasve turq në Kosovë.

Ai ka deklaruar se nuk është në dijeni për arrestimin dhe ekstradimin e gjashtë shtetasve turq të grupit të Fetullah Gylenit. Haradinaj ka kërkuar përgjigje urgjente nga Policia, AKI dhe MBP për këtë arrestim dhe ekstradim.

Më poshtë mund ta lexoni në plotë njoftimin nga Kryeministria:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas operacionit të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ku janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq, në përputhje me përgjegjësit e tij kushtetuese dhe ligjore ka kërkuar raportim nga Drejtori i AKI –së, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Drejtësisë, me kërkesën siç vijon:

“Kërkoj nga ju, që në përputhje me përgjegjësitë tuaja Kushtetuese dhe Ligjore, raportim të plotë dhe të saktë lidhur me rastin e ndalimit dhe deportimit të gjashtë qytetarëve turq nga Kosova. Pse u revokuan lejeqëndrimet e tyre? Pse u bë ndalimi i tyre? Pse janë deportuar me urgjencë dhe në fshehtësi?”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme