Haradinaj: Kosova nuk dëmtohet me numrin e madh të zv.ministrave

Prishtinë | 23 Dhj 2017 | 14:41 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka quajtur hipokrizi dhe gënjeshtra kritikat për numrin prej 70 zëvendësministrave në qeverinë e tij.

Në takimin me Këshillit Drejtues dhe Kryesisë së AAK-së, Haradinaj ka thënë se nuk krenohet me numrin e madh të zëvendësministrave, raporton KTV.

“Nuk mendoj se po e dëmtoj Kosovën me numrin e madh të zëvendësministrave. Është gënjeshtër që po e dëmtoj Kosovën me këtë. Është hipokrizi e atyre që po më kritikojnë se po dëmtoj Kosovën me këtë, edhe pse nuk krenohem me këtë numër të madh të zëvendësministrave”, ka thënë Haradinaj.

Për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” ka thënë se Kosova nuk ka pasur tjetër zgjidhje për energjinë elektrike.

“Në emër të ndotjes së ajrit deshën ta ndalin termocentralin që do të ndërtohet me teknologjinë e fundit. Nuk kemi zgjidhje tjetër sepse nuk kemi lumenj për hidrocentrale. Bota nuk është kundër teknologjisë së fundit të termocentraleve”, ka thënë ai.

Duke folur për termocentralin e ri, Haradinaj ka njoftuar se javën e ardhshme do të nisin gërmimet në Hade dhe Shipitullë.

Haradinaj i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të shkojë tutje në raportin me Kosovën, pasi sipas tij, që prej fusnotës dhe marrëveshjes së MSA-së, Kosova nuk ka marrë lajm tjetër prej tyre.

“Herë po më thonë se ‘na prishe me dynjanë’, herë po më thonë ‘përse nuk e ke flamurin’. BE-ja duhet të shkojë më tej. Prej fusnotës dhe MSA-së nuk kemi marrë lajm tjetër prej tyre”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë takim Haradinaj ka përsëritur qëndrimin për pjesëmarrjen e SHBA-së në dialogun Prishtinë – Beograd. Ai theksuar se nuk ka garantues më të mirë sesa SHBA-të.

“Amerika është garant. Në botë nuk e ke garant më të mirë sesa Amerika. Nuk mund të themi ‘po e duam Rusinë’ në këtë proces sepse ajo vetë është tërhequr. Mirë me pas të fortin në tavolinë me vehte”, ka thënë Haradinaj për dialogun.

Të ngjashme