Haradinaj: Raporti i Progresit konfirmoi defektet serioze qeverisëse

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 14:15 | Nga

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar Raportin e Progresit, duke e vlerësuar si shqetësues. Ai përmes facebook-ut ka thënë se ky raport ka vënë në pah të gjitha shqetësimet e opozitës karshi stagnimeve të procese që sipas tij Qeveria pretendon të jenë të suksesshme.

Ai edhe njëherë ka kërkuar që vendi sa më parë të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi mendon se kjësaj qeverie i ka humbur legjitimiteti.

Në vazhdim mund ta lexoni reagimin e plotë të liderit të AAK-së:

Raporti i Progresit konfirmoi shqetësimet tona për defektet serioze qeverisëse. Ky raport konstaton se Kosova ka probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe pothuajse të gjitha proceset integruese. Qeveria e Kosovës ka stagnime serioze, pikërisht në fushat ku krerët e Qeverisë pretendojnë se ka sukses. Politikat e zhvillimit ekonomik e posaçërisht të punësimit kanë dështuar. Arsimi është në gjendje të rëndë, kurse sundimi i ligjit është vetëm në letër. Qeveria është pa fokus qeverisës, me vendime ad-hoc, me kosto të lartë dhe tërësisht pa llogaridhënie. E paaftë që të realizojë edhe objektivat që i ka caktuar vetes, kjo Qeveri në këtë raport lavdërohet vetëm për votimin e Dhomave të Posaçme, dialogun dhe iniciativave që mbesin pa u zhvilluar. Mund të thuhet se kjo Qeveri nuk ka karakter integrues, përkundrazi ajo edhe këtë vit dëshmoi se është pengesë në rrugën Evropiane të Kosovës!

Kosova nuk ka kohë për të humbur, prandaj vendi duhet që sa më parë të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet duhet parë si mundësi e forcimit të shtetit ligjor dhe rritjes së ekonomisë së vendit, por edhe e kthimit të fuqisë në vendimmarrje!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme