Haradinaj-Stublla takon ministrin Bujar Osmani: Moment historik që tri shtete të rajonit përfaqësohen nga tre ministra shqiptarë

Prishtinë | 23 Tet 2020 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm Bujar Osmanin.

Ministrja Haradinaj e ka vlerësuar si moment historik faktin që tri shtete të rajonit përfaqësohen nga tre Ministra të Jashtëm shqiptarë.

“Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut pata kënaqësinë të takohesha me Ministrin e Jashtëm, njëherësh edhe bashkëkombasin, Bujar Osmani.

Është një moment historik ky, kur tri shtete të rajonit përfaqësohen nga tre Ministra të Jashtëm shqiptarë.”, është shprehur ministrja Haradinaj-Stublla.

Shefja e diplomacisë dhe homologu i saj kanë biseduar për interesat e përbashkëta të dy vendeve si dhe avancimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Haradinaj-Stublla ka theksuar se me homologun Osmani janë dakorduar të thellojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së  Veriut.

“Me z.Osmani biseduam për koordinimin e politikave tona për çështjet e interesit të përbashkët, si integrimi Euro-Atlantik, dhe avancimi i paqes dhe stabilitetit në rajon.

U dakorduam me homologun Osmani se ky është një moment i pritur më shumë se 12 vite, të cilin duhet ta shfrytëzojmë për përparimin e vendeve tona, përmes lartësimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimint të afërt.”, ka përfunduar shefja e diplomacisë kosovare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme