Haradinaj takohet me zëvendësndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 10:59 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një rol jetik për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer.

Në këtë takim u bisedua për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e transformimit të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës, dialogun Kosovë – Serbi, si dhe aspekte që lidhen me përpjekjet për një unitet ndërinstitucional dhe ndërpartiak rreth dialogut dhe me sundimin e rendit dhe ligjit si dhe proceseve të tjera të rëndësishme të integrimit euro-atlantik.

“Qytetarët dhe institucionet e Kosovës përherë janë falënderues për ndihmën e gjithanshme që kanë dhënë dhe vazhdojnë të jep SHBA-ja, për Kosovën. Kosova është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në në të gjitha fushat. Kemi arritur rezultate të ndjeshme në fushën e sundimit të ligjit dhe po ashtu, vendi ynë duke e rritë konsolidimin e shtetit nga brenda po e forcon agjendën e saj të integrimit euro-atlantik”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është duke punuar në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, në zhvillimin ekonomik, dhe për hapjen e vendeve të reja të punës të cilat do të ndikojnë në rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë.

Nga ana e tij, Palmer, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-së për avancimin e agjendës integruese dhe zhvillimore të Kosovës dhe tha se ShBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në fuqizimin e shtetit të saj dhe proceset nëpër të cilat po kalon.

Palmer ka qëndruar në Shkup të hënën ku e ka cilësuar si “kthesë historike” vendimin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë për të votuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Kurse paraprakisht në Beograd, zëvëndësndihmës sekretari amerikan ka thënë se Uashingtoni iu bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.

Sipas tij, ShBA-ja e kupton shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon stabilitetin e rajonit”.

 

Të ngjashme