Haskuka: Një Qeveri që varet nga Lista Serbe s’mund të marrë vendime që e forcojnë shtetin

Prizren | 06 Qer 2020 | 07:59 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosovës i duhet një Qeveri demokratike dhe e bazuar në votën e qytetarëve të vendit, e jo e themeluar nga teket e Serbisë.

Kështu u shpreh për Ekonomia Online kryetari i Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka.

Ai deklaroi se Qeveria Hoti është zgjedhur pa votën e qytetarit si dhe Qeveri e cila është e  varur nga Lista Serbe.

Haskuka shtoi se me një Qeveri që varet nga Lista Serbe nuk do të ketë vendime që do të forcojnë shtetin e Kosovës.

“Kjo Qeveri nuk është bazuar në zgjedhjet demokratike ose me votën e 6 tetorit. Në fazë që është Kosova sa i përket pandemisë edhe me zhvillimet e fundit sa i përket kërkesave të Serbisë ndaj Kosovë”.

“Duhet një Qeveri demokratike dhe bazuar në votën e qytetarëve të Kosovës dhe jo bazuar në teket e Beogradit. Kjo Qeveri do të varet nga Lista Serbe dhe një listë që merr kërkesave të Vuçiq nuk do të jetë në dobi të Kosovës”.

“Për çdo vendim të dëmshëm që do të bëjë kjo qeveri ne do të kemi aksione kundërshtuese qoftë protesta e të tjera. Gjëja kryesore është që kushtetuta e Kosovës me vendimet e fundit është shkelur rëndë dhe kjo qeveri edhe me votimin e një deputeti i cili është i dënuar dhe nuk do të duhej të votonte dhe jo legjitim. Të kemi zgjedhje sa më të hershme, ngase me një Qeveri që varet nga Lista Serbe nuk do të ketë vendime që do të forcojnë shtetin e Kosovës”, u shpreh Haskuka.

Kryetari i Prizrenit ka folur edhe për rihapjen e bizneseve në fazën e tretë, por duke respektuar këshillat e IKShP-së.

Ai theksoi se për shkak të rritjes së numrit të rasteve kujdesi duhet të jetë I lartë, andaj potencoi ai se ata që nuk i respektojnë këto masa do të ketë masa rigoroze.

“Ne jemi duke implementuar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShP. Tash është faza e tretë e lehtësimit të masave. Kam kërkuar nga policia që bizneset që ata që nuk i respektojnë masat të jenë më rigoroz ndaj tyre. Këto rastet e fundit na tregojnë që virusi është ende këtu dhe kujdesi duhet të jetë i lartë dhe jemi duke u përgatitur për valën e dytë duke u pajisur me dezinfektues, maska e dorëza”, tha ai.

Ai përmendi edhe rihapjen e kopshteve e paraparë për 1 qershor, po thotë ai se për shkak të rasteve është shtyrë hapja e tyre.

“Për shkak të Coronavirusit kemi pasur plan që çerdhen publike ta hapim me 1 qershor në ditën e fëmijëve, por për shkak të pandemisë nuk kemi mundur ta zhvillojmë. Këtu do të kemi mësim në tri gjuhë. Dhe do të kemi 8 klasa dhe do të fillojmë 2 deri në 4 vjeçar dhe me fillimin e mësimdhënies do të fillojë me 1 shtator”, ka thënë Haskuka.

Mes tjerash, ai foli edhe për projektet në këtë komunë të cilat do t’i ndihmojmë qytetarët dhe bizneset pas krizës së krijuar nga pandemia.

“Jemi pjesë e dy projekteve: njëra është me asociacionin e komunave të Kosovës, për analizën e impkatit financiar dhe me bankën për zhvillim dhe rindërtim. Komuna e Prizrenit ka ndarë mjete lidhur me aktivitetet emergjente. Tani me asamblenë komunale kemi tri vendime lidhur me lirim e pagesave për taksat komunale për 6 muaj  lirimin nga pagesa e qirasë në pronën publike për 6 muaj dhe lirimin e pagesave për hapësirat publike siç janë kafiteritë”, tha ai.

Haskuka potencoi se dëmi i shkaktuar nga vërshimet dhe virusi në bujqësi është afro 2 milionë euro, andaj kërkoi ai nga ministritë t’i kompensojnë këto dëme.

“Por gjithashtu i kemi ndihmuar edhe blegtorët. Bujqit dhe blegtorët kanë probleme të mëdha dhe do t’i ndihmojmë me disa projekte mbase të reshurave dhe vërshimeve. Shpresojmë që ministria t’i kompensojë dëmet që u janë shkaktua bujqve. Dëmet janë 1 milion e 90 mijë euro. Vetëm me investime kapitale kemi rrjedhën brenda tregut dhe punësim”, shtoi Haskuka.

Të ngjashme