Hoti në Gjakovë: Pagat do t’i rrisim bashkë me ekonominë

Gjakovë | 05 Qer 2017 | 18:24 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën në Gjakovë, se qeveria e tij do t’i rritë vazhdimisht pagat e sektorit publik, krahas rritjes ekonomike e cila do të jetë 7 për qind.

“Pagat e pensionet në Kosovë do të rriten çdo vit aq sa ka rritje ekonomike. Kështu e thotë ligji. E rritjen ekonomike, ju tashmë e dini, e garanton vetëm qeverisja jonë. Memorandumet që po i shohim se po i nënshkruajnë oponentët tanë me drejtues të kapur të Sindikatave, nuk kanë asnjë bazë ligjore. Janë thjeshtë mashtrime”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se Qeveria e drejtuar nga LDK ka qenë para vendimit për rritje të pagave për të gjithë sektorin publik, duke u bazuar në suksesin e madh në rritjen e buxhetit dhe rritjen ekonomike. Kjo iniciativë u ndërpre nga ata që brengosen vetëm për interesat e tyre.

Kandidati i koalicionit të djathtë për kryeministër ka thënë se qeveria e re me urgjencë do ta trajtojë njohjen e stazhit të punës gjatë viteve të 90-ta, kur Kosova ishte e okupuar.

Hoti ka shtuar se Gjakova do ta ketë vëmendjen e veçantë të qeverisë që unë do ta drejtoj dhe Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet plotësisht.

“Përmes Ligjit për Investime Strategjike, në Gjakovë do të sjellim investitorë seriozë, që do të krijojnë vende pune e mirëqenie për familjet tuaja. Ne do t’ia kthejmë Gjakovës namin e dikurshëm”, ka pohuar Hoti.

Ai ka thënë të hënën në Gjakovë se fati të pagjeturve është ende shumë i rëndë dhe është zotuar se do të punojnë shumë dhe nuk do të reshtin së kërkuari të zhdukurit e Kosovës në mënyrë që familjarët të kenë një varr ku të qajnë, raporton Ekonomia Online.

“Ne në Gjakovë e kemi ndarë mendjen se ky koalicion është e ardhmja jonë. Unë jam këtu për të kërkuar besën tuaj për të na mbështetur si në kohën e presidentit Rugova. Fati të pagjeturve është ende shumë i  rëndë dhe zotohemi se do të punojmë shumë dhe nuk do reshtim së kërkuar të zhdukurit e Kosovës në mënyrë që familjarët të kenë një varr ku të qajnë”, tha Hoti.

“Trinomi i jashtëzakonshëm: liri, pavarësi dhe demokraci nuk është realizuar plotësisht. Ne sot kemi nevojë për sundim të rendit të ligjit, e jo një vend ku do të sundojë forca…”, tha Hoti.

Ai ka shpalosur pikat kryesore të programit qeverisës ku është zhvillimi ekonomik, sundimi i rendit dhe ligjit dhe integrimet evropiane.

“Programi jonë i zhvillimit ekonomik do të sjellë vende të reja të punës. Ne ju premtojmë që do ju rrisim pagat, por do të rrisim ekonominë për t’i rritur pagat. Policia e Kosovës janë ata që do t’u rriten pagat, sepse janë këta njerëz që kanë mbrojtur institucionet e vendit kur janë sulmuar, dhe ne do t’iu paguajmë hakun. Janë arsimtarët që do t’u njihet përvoja dhe t’u rriten pagat. Ne kemi dhënë dëshmi që do t’i rrisim pensionet për t’u siguruar që pensionistët jetojnë me dinjitet. Ne kemi edhe planin konkret për rininë për t’iu ofruar arsim cilësor dhe punë menjëherë sapo të kryejnë arsimimin”, tha Hoti.

Kryetari i LDK-së dhe kryeministri në detyrë Isa Mustafa tha se kundërshtarët po flasin për rend dhe ligj, por shtoi se “ata janë ekspert për ta shkelur ligjin dhe jo për ta mbrojtur atë”.

“Ne kemi premtuar zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës dhe për këtë ne kemi profesionistë dhe ajkën e shtetit, kemi njerëz profesionalë për ta arritur këtë. Kundërshtarët tanë po thonë se do të krijojnë rend dhe ligj, por unë e di se ata kanë ekspertë si ta shkelin ligjin dhe jo si ta mbrojnë atë”, ta Mustafa.

Presidenti i AKR-së, Behxhet Pacolli, tha se shpreson ta jetësoj ëndrrën e tij për t’i funksionalizuar fabrikat e mbetura bosh të Gjakovës.

“Koalicioni me LDK-në është një koalicion i njerëzve të punës, një koalicion i cili do të punojë për të mirën e vendit. Shpresoj shumë se me këtë koalicion do ta realizojmë dëshirën time dhe jam i bindur që do të gjejë mirëkuptim tek partnerët e koalicionit që të gjitha fabrikat që janë këtu t’i fusim në funksion”, tha ai.

“Shpresoj që anë e mbanë vetëdija e Kosovës do të jetë që me 11 qershor, të votojë për ardhmërinë e saj”, tha Pacolli.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari, tha se gjakovarët nuk janë trembur të bëjnë kthesën e duhur.

“Gjakovarët në 2013 përkundër faktit që Gjakovës iu kishte vënë laku në fyt ata bënë ndryshimin. Gjakova s’mund të jetë jashtë karvanit të ndryshimit. Me 12 qershor ata që kanë ngulfatur për shumë vjet Gjakovën dhe tash Kosovën do të shkojnë në opozitë. Gjakova do të udhëhiqet nga mendjet e ndritura”, tha ajo.

 

Të ngjashme