Hoti për prishjen e koalicionit me LVV-në: Ishte vendim racional, opozita nuk duhet të punojë në shkatërrimin e shtetit

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 20:18 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Avdullah Hoti në një intervistë për Telegrafin ka folur për prishjen e koalicionit me LVV-në. Ai ka akuzuar ish-Qeverinë Kurti se ka rrezikuar funksionimin e institucioneve.

“Në qeverinë e fundit për disa muaj kishim dy herë shkelje të Kushtetutës, kishim shkuarje në ekstreme sa i përket relacionit me partnerët ndërkombëtarë duke krijuar tensione të panevojshme në gjysmë të natës”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se Qeveria e tanishme e drejtuar nga ai ka kthyer normalitetin në funksionimin e institucioneve. Hoti ka shtuar se si opozitë nuk duhet punuar për shkatërrimin e shtetit por duhet përmes alternativave të kontribuojmë në qeverisje.

“Nuk punohet në shkatërrimin e shtetit kur je në opozitë, kontribuon me alternativa të qeverisjes. Ti punon për interesa shtetit e jo për rrënimin e shtetit, nuk imponon diskurs ekstrem. Duhet të jemi pak më të kujdesshëm në të bërit e politikës”, tha Hoti për Telegrafin.

Kryeministri e quajti vendim racional prishjen e koalicionit me LVV-në.

“As unë as LDK kur i kemi marrë vendimet nuk e kemi pa veten sesi do ta vlerësojnë qytetarët në zgjedhje kur kemi marrë ato veprime. Unë jam i bindur që është vendim racional ai që kemi marrë në raport me LVV-në”, u shpreh Hoti.

Duke folur rreth qeverisjes së tij, ai përmendi si sukses qasjen e kryeministrit në të gjitha qendrat e BE-së, arritjen e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Sa i përket marrëveshjes në Washington, Hoti shoti se kjo marrëveshje do të zbatohet.

“Nuk do të ndryshojë asgjë, jemi në komunikim të rregullt me administratën e SHBA-ve atje dhe ambasadën këtu për të zbatuar projektet që janë pjesë e marrëveshjes. Nuk do të ndikohet zbatimi i kësaj marrëveshje nga ndërrimi i administratës atje”, u shpreh Hoti.

Ai shtoi se nëse kjo qeveri arrin të kalojë problemin e zgjedhjes së presidentit dhe arrijnë të qojnë mandatin deri në fund do të arrijnë të fusin në ekonomi 5-6 miliardë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme