Hoti: Prizreni nuk guxon të mbetet në duart e koalicionit të territ

Prizren | 02 Qer 2017 | 18:10 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti në Prizren, ka thënë se ky koalicion është e vetmja alternativë qeverisëse për të ardhmen.

“Ne u dalim zot fjalëve tona. U kemi dalë zot në dy vjetët e kaluara. E kemi ndërruar imazhin e Kosovës. Duhet ta vazhdojmë punën që e kemi nisur, prandaj na duhet vota juaj”, ka pohuar Hoti.

Ai ka shtuar se paga mesatare, pensionet dhe bursat për studentë do të rritet për çdo vit, në harmoni me rritjen ekonomike në vend.

“Mos u mashtroni me premtime elektorale për rritje pagash e pensionesh. Ato premtime janë të pa bazuara në ligj dhe janë të pamundshme. Vetëm programi ynë mundëson rritjen e pagave e pensioneve. Sepse vetëm programi ynë garanton rritje ekonomike. Rritjen e pagave ne do ta bëjmë çdo vit, mbi bazën e rritjes ekonomike të Kosovës. Ne kemi plan konkret për t’ia paguar një vit pune secilit të ri që diplomon, në mënyrë që secili prej tyre të përgatitet edhe praktikisht për tregun e punës”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se me ta vendi do të ketë qeverinë më të mirë që nga paslufta.

“Nuk japim datë kur, por do t’i plotësojmë gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Ne do të ja kthejmë namin vendit dhe kjo nuk guxon të mbetet në duart e koalicionit të territ. Urime të gjithëve fitorja”, ka përfunduar Hoti.

Mustafa: Fitorja e koalicionit është në duar të Prizrenit 

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa ka thënë para prizrenasve se fitorja e koalicionit LDK-AKR-Alternativa është në duart e tyre. Mustafa edhe në tubimin në Prizren ka përsëritur se ky koalicion e ka programin, listën dhe kandidatin për kryeministër më të mirin nga të gjithë.

“Ky program i garanton Kosovës zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, mirëqenie sociale, arsimim e shërbim shëndetësor cilësor. Çka është kryesorja, ne jemi të vetmit që kemi demonstruar vendosmëri dhe jemi të përkushtuar ta luftojmë pa kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta mbrojmë vendin tonë prej terrorizmit”, ka thënë Mustafa.

Pacolli: Mos e lini Kosovën në duar të zhvatësve

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka ftuar prizrenasit në ditën e zgjedhjeve të dalin bashkë me familjet e tyre që të votojnë për koalicionin e madh siç e quan ai.

“Ardhmëria është në duart tuaja, andaj mos hezitoni të dilni. Krahasojeni listën tonë me listën tjetër dhe e shihni ku jemi. Mos e lini Kosovën në duar të zhvatësve, është e drejtë e juaja ta ndryshoni Kosovën”, ka thënë Pacolli.

Kusari-Lila: Mos pranoni të vuani për katër vjet 

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ata që kanë qeverisur me vendin deri tash, dhe që qeverisin më Prizrenin vetëm i kanë shfrytëzuar ata për vota. Ajo ka ftuar qytetarët të mos bien pre e iftareve që dikush mund të shtrojë gjatë kësaj fushate.

“Me 12 qershor është dita e fitores. Mos pranoni që të vuani për katër vjet. Programi që do ta qeveris kryeministri Hoti, është programi më i mirë”.

Ajo tha se në një kohë kur synojmë Evropë pa kufi e ndërsa te ne e nxjerrin pretekst kufirin për të rrëzuar qeverinë. Ndërsa kundërshtarët e saj ajo i ka quajtur frikacak oportunist që nuk shohin përtej interesave të veta.

Të ngjashme