Hoti: Do ta afrojmë Kosovën me Bashkimin Evropian

Suhareke | 02 Qer 2017 | 19:09 | Nga

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti e ka vazhduar fushatën në qytetin e Suharekës. Ai ka thënë se të gjithë janë bërë bashkë të rinjtë dhe të vjetër, për të siguruar një fitore të madhe më 11 qershor.

Sipas tij Qeveria e LDK-së do të jetë me duar të pastra, duke premtuar një buxhet gjatë mandati në 3 miliardë euro.

Ai ka shtuar se Ushtrinë e Kosovës synojmë ta ndërtojmë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

“Do të arrijmë t’i bindim aleatët tanë se janë krijuar kushtet për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Ne nuk do të ndjekim strategji protagonizmi në këtë proces, sepse është dëshmuar se një strategji e tillë vetëm e dëmton realizimin e synimit tonë për ta bërë Kosovën me ushtri partnere të ushtrisë amerikane dhe NATO-s”, ka thënë Hoti.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni i djathtë ka thënë se nuk do t’i shmangemi detyrimit për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

“Jo vetëm sepse këtë e kemi kriter për të fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por, edhe sepse ne duam të demonstrojmë që jemi shtet serioz dhe që nuk u bishtnojmë detyrimeve ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.

Ai ka siguruar se do të punohet që të rinjtë dhe të rejat të sigurojnë punë, të jepet mbështetje për bujqit, dhe për ta trefishuar buxhetin për bujqësi. Hoti gjithashtu ka premtuar edhe arsim cilësor, fuqizim të gruas dhe të rinisë.

Mustafa: Nuk kemi bërë koalicion nga frika

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se këtë koalicion nuk e kanë bërë nga frika e humbjes, por nga besimi që kanë në mes vete dhe programet e tyre.

“Ne nuk e kemi bërë këtë koalicion nga frika se LDK- nuk mund ta mposhtë PDK-më, ose partitë e tjera. Koalicionin e kemi bërë nga besimi se Kosovës i duhet një koalicion që ofron ma shumë vlera – të dijes, ekspertizës, biznesit dhe besimit në zot”, ka shtuar ai.

Është radha të fitojmë, jo vetëm në Suharekë, por ta fitojmë Kosovën, ka thënë Mustafa.

“Mendoj që nëse dikush tjetër, ju njerëzit e Suharekës, e dini më së miri se kujt duhet t’i besohet Kosova, fëmijët tuaj, pasuria juaj. Ju garantoj se besimin do ta keni me qeverinë e koalicionit dhe në Avdullah Hotin si kryeministër i ardhshëm”, ka përfunduar ai.

Pacolli: Ne jemi koalicioni i shpresës 

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se ky është koalicioni i shpresës i mbështetur në vlerat rugoviane.

“Rugova thoshte se duhet t’i besojmë të fortit, e i forti është i sinqertë, i ditur, është besnik dhe ne jemi me të fortin. Ne jemi me idenë e presidentit Rugova dhe këtu betohemi se ne do të punojmë për interesat e qytetarëve të Kosovës, do të punojmë për rininë tonë”, ka thënë Pacolli.

Pacolli u ka bërë thirrje qytetarëve që më 11 qershor të dalin dhe të votojnë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme