Hoxhaj e krahason Daçiqin me Milosheviqin në samitin e ministrave në Poloni

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 14:27 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka reaguar ashpër ndaj kryediplomatit serb, Ivica Daçiq, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit, që po mbahet në Varshavë të Polonisë.

Ai e ka krahasuar me Sllobodan Milosheviqin sjelljen dhe diskursin e Daçiqit në raport me Kosovën dhe përpjekjet e tij për ta penguar Kosovën në forcimin e shtetësisë dhe integrimit në BE.

“Unë fola për rikthimin e historisë. Por nuk e imagjinova ta shoh Daçiqin e rikthyer. E mbaj mend atë në vitet 1990-të kur ishte zëdhënës i Millosheviqit, i një regjimi që i ka bërë aq dëme Ballkanit dhe Kosovës. Është për keqardhje kur e shoh Ivica Daçiqi si flet dhe sillet. Deshi apo jo, Kosova është e pavarur dhe do të jetë çdo herë e tillë” ka thënë Hoxhaj.

“Serbia është përgjegjëse për katër luftëra si kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës dhe asnjëherë nuk e kanë marrë përgjegjësinë. Nuk ka pajtim pa marre përgjegjësi Beogradi” ka theksuar Hoxhaj.

Daçiqi në fjalimin e tij më shumë ishte ankuar në BE-në se herë përpiqet ta trajtojë Kosovën si gjoja rast të veçantë, e në anën tjetër këtu në Varshavë e trajton si shtet.

Veçmas Daçicit i ka penguar takimi i javës së kaluar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së në Bruksel.

Ministrat e Jashtëm nga Evropa Qendore dhe Juglindore janë mbledhur në Varshavë ku diskutohen sfidat e sigurisë së rajonit dhe nevoja e bashkëpunimit me BE-në me qëllim të parandalimit të kërcënimeve të shumta.

Në takim pritet të marrë pjesë edhe shefja e Bahskimit Evropian, Frederica Mogherini. Takimi është ftuar nga Ministri i Jashtëm i Polonisë Witold Waszczykowski. Vendeve të Vishegradit (Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Hungarisë) iu janë bashkuar edhe ministrat nga vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Hoxhajn. Temat që priten të diskutohen kanë të bëjnë me migracionin, krimin e organizuar, radikalizmin, terrorizim dhe kërcënimet të ndryshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme