Hoxhaj: PDK beson në SHBA dhe dialog, më 2007 Kina e shihte Kosovën çështje evropiane

Prishtinë | 10 Shk 2021 | 22:49 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për Kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se nuk do të fshehet për ta marrë barrën e dialogut Kosovë-Serbi, për dallim nga kundërkandidatët tjerë, veçanërisht nga ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Tutje në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ka thënë se PDK në mënyrë tradicionale i ka besuar bashkëpunimit ndërkombëtar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton Klan Kosova.

”Në zhvillimet ndërkombëtare, sidomos pas letrës së Joe Biden që të ketë një situatë të re në raport me Kosovën mendoj që PDK këtu është prapë adresë e sigurisë dhe kredibilitetit në raport me subjektet tjera politike që nuk kanë arritur të menaxhojnë temën e dialogut dhe temat e politikës së jashtme”.

”Sa i takon dialogut, PDK dallon nga subjektet tjera politike, sepse ne i kemi besuar dialogut, ne kemi bartë këtë proces dhe kemi paguar një çmim në raport me këtë proces”.

”Të tjerët nuk i kanë besuar dialogut dhe nuk i besojnë dialogut. PDK në mënyrë tradicionale i ka besuar bashkëpunimit ndërkombëtar, i ka besuar Amerikës, i beson dialogut”.

”Prej të gjithë kundërkandidatëve të mi, posaçërisht në raport me Albin Kurtin, unë jam një njeri që e njeh këtë temë. Unë njoh temat e dialogut. Meqë jemi në shkurt të 2021-ës, është vendimtare që ky proces të përmbyllet në 2021, sepse ka filluar në mars të 2011-ës”.

”Dhe është absurd të merremi me temat e dialogut edhe në zgjedhjet e radhës kur të mbahen pas katër vitesh”.

”Unë e shoh këtë çështje të normalizimit të raporteve prej konferencës së Rambujesë e deri më sot”.

”Dilema është çka do duhej të bëjmë ne në normalizimin e raporteve me Serbinë. A duhet të qëndrojmë edhe 10 vite shtesë në raport me Serbinë, apo duhet ta përmbyllim. Dhe në fund nuk dua të flas shumë, por në fund kam një frikë që dua të ndajë me ju”.

”Sa më shumë që shtyhet çështja e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, aq më shumë largohet Kosova nga OKB-ja”.

Sipas tij, më 2007-ën, Kina kishte tjetër qasje në raport me Kosovën, meqë thotë se e shihte çështje europiane, njofton Klan Kosova.

”Këtë duhet ta kuptojë secili qytetar i Kosovës”.

”Më 2007 kemi pasur shanse më të mëdha që të anëtarësohemi në OKB, të miratohet pakoja e Ahtisaarit. Unë kam qenë pjesë e negociatave në Vjenë, e di për çfarë po flas. E di cili ka qenë qëndrimi kinez në raport me Kosovën. Në atë kohë Kina e ka parë Kosovën si çështje europiane, jo si një temë, ku do të kishte politikë polarizuese në raport me SHBA”.

”PDK e cila në këto zgjedhje garon mbi të gjitha për ekonomi, dhe për shkak të pandemisë që t’i adresojmë këto sfida, nuk do të fshihet. Unë si kryeministër nuk do të fshehem që të marrë barrën e dialogut mbi supe. Kam frikë që nëse në zgjedhjet e radhës kurdo që mbahen ato pas katër vjetësh, nëse edhe njëherë ne bisedojmë për dialogun, Kosova do t’i ketë shanset minimale të anëtarësohet në OKB. Dhe ky është një shqetësim i cili më ka përcjellur çdoherë sa kam qenë në Qeveri”.

Të ngjashme