Hoxhaj takon emisaren e Çekisë për Ballkanin: Mbështetja e shteteve anëtare të BE-së kyçe për përmbylljen e suksesshme të dialogut

Prishtinë | 01 Pri 2019 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot për takim zyrtar emisaren e veçantë për Ballkanin Perëndimor nga Ministria e Jashtme e Çekisë, Janina Hrebickova, me të cilën ka diskutuar për sfidat e rajonit në rrugën e integrimit evropian.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka falënderuar emisaren Hrebickova për mbështetjen e Çekisë në rrafshin bilateral ndër vite, ndërsa është zotuar se Kosova është e përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve në fusha të interesit të përbashkët.

Në këtë takim, të dy palët diskutuan për perspektivën evropiane të rajonit, e në veçanti ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Hoxhaj tha se Kosova është e përkushtuar për përmbylljen e shtetndërtimit, duke arritur marrëveshje finale me Serbinë, e cila përmban njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se mbështetja e Çekisë dhe e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian për këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Me Emisaren e Veçantë për Ballkanin Perëndimor nga Ministria e Jashtme e Çekisë, Janina Hrebickova diskutuam për perspektivën evropiane të rajonit dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja finale duhet të sjellë njohjen e ndërsjellë si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Mbështetja e Çekisë dhe e shteteve anëtare të BE-së është jashtëzakonisht e rëndësishme për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Të ngjashme