Hoxhaj: Ukshin Hoti, ndër të parët intelektualë që ndezi flakadanët se populli shqiptar nuk dorëzohet

Prishtinë | 17 Qer 2021 | 21:09 | Nga Ekonomia Online

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë një dedikim me rastin e ditëlindjes së veprimtarit të pagjetur, Ukshin Hoti.

Hoxhaj shprehet se Hoti, ishte intelektuali që ndër të parët ndezi flakadanët se populli i Kosovës nuk e ka ndërmend të dorëzohet në të drejtën e tij për të qenë i pavarur.

”Heronjtë kanë vetëm ditëlindje. Pjesa tjetër është histori, mishërim përpjekjesh e luftë për liri e dinjitet njerëzor. I tillë ishte Ukshin Hoti. Intelektuali që ndër të parët ndezi flakadanët se populli shqiptar i Kosovës nuk e ka ndërmend të dorëzohet në të drejtën e tij për të qenë i pavarur. Në datën e lindjes së Ukshinit, intelektualit e patriotit tonë, edhe 22 vjet pas luftës ende nuk dihet asgjë për fatin e tij. Serbia asnjëherë nuk tregoi se çfarë ndodhi me Ukshinin tonë dhe qindra persona tjerë të pagjetur. Megjithatë, mungesa yte, i dashur Ukshin, është vetëm fizike, sepse ti je pjesë e pandashme dhe e përhershme e themelit të këtij shteti, mendjeve dhe zemrave tona.

Nuk do të heqim dorë asnjëherë prej teje, mik”.

Të ngjashme