Hoxhaj: Zgjedhje këtë vit s’do të ketë, debati për taksën ka degraduar

Prishtinë | 15 Qer 2019 | 07:59 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë këtë vit, ngase opozita nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë, shprehet i bindur nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj.

Edhe pse partitë opozitare kanë intensifikuar takimet me qëllim të përgatitjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë, Hoxhaj thotë se ekzekutiv do të vazhdojnë punën deri në përfundim të mandatit.

Sipas tij, në këtë kohë vendi ka më së shumti nevojë që e gjithë skena politike në vend të bëhen bashkë për çështje të mëdha, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, si njërin ndër proceset më të rëndësishme.

“Unë nuk mendoj që deklaratat e kolegëve në opozitë janë serioze dhe nuk mendoj që në 2019 ka nevojë për zgjedhje të parakohshme. Por çka ka nevojë elita politike në Kosovë në 2019, ne që jemi në Qeveri dhe të tjerët që janë në opozitë, është që të bëhemi bashkë rreth disa pritjeve të mëdha që ka vendi dhe ndër to është dialogu Kosovë-Serbi. Zgjedhje në 2019 nuk do të ketë dhe rrëzim të Qeverisë nuk do të ketë”.

Hoxhaj thotë se debati për taksën ndaj produkteve serbe ka degraduar, ngase sipas tij, institucionet duhet të shohin vendimeve afatshkurta të cilat janë interesat dhe pritjet afatgjate.

“Debati për taksën ka degraduar. Mendoj që Kosova nuk guxon që ta reduktoj politikën e saj të jashtme në dialog dhe dialogun ta reduktoj në taksë. Ky debat ka degraduar, Kosova duhet të sheh përtej vendimeve afatshkurta të cilat janë interesat dhe pritjet afatgjate, strategjike të saj”.

Ai pret që dialogu me Serbinë, i pezulluar pas vendosjes së taksës, të përmbyllet këtë vit, ndërsa në vitin 2020 të ndodh njohja e ndërsjellët.

“Jam i mendimit se viti 2019 mund të jetë një vit historik me nisë një proces negocues, i cili mund të përmbyllet në 2019, por ndoshta në 2020 me njohje të ndërsjellët. Ne duhet të kemi kurajo, vendosmëri dhe përkushtim të mirëfilltë që ta përmbushim këtë temë me Serbinë që natyrisht nuk do të jetë e lehtë”.

Dinamikë të re dialogut, Hoxhaj thotë se mund t’i japë Samiti i Parisit, edhe pse janë shtuar zërat se samiti i gushtit mund të dështojë.

Sipas tij, Samiti i Parisit mund të jetë një hallkë e rëndësishme që ta rikthejë shpejtësinë e dialogut.

“Ende ka hapësirë dhe kohë sa që Samiti i Parisit të jetë një sukses. Ka një vëmendje dhe përkushtim të madh amerikan dhe evropian që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet me njohje të ndërsjellët. Padyshim që prej shtatorit mund të ketë një dinamikë të re të dialogut Kosovë-Serbi dhe Samiti i Parisit mund të jetë një hallkë e rëndësishme që ta rikthejë shpejtësinë e dialogut”.

“… por ajo që është e rëndësishme sa i takon Samitit të Parisit është që ne të kemi qëllime të qarta para se të shkojmë në Paris që të ndjekim parime shumë të mirëfillta para se të ulemi në tavolinë dhe ta kemi një mendim strategjik se cilat mund të jenë objektivat madhore të cilat mund t’i përmbushë Kosova jo vetëm në takimin e Parisit, por edhe në dialogun Kosovë-Serbinë”.

Të ngjashme