Hyseni: Qeveria të japë llogari se pse nuk po zbatohet asnjë marrëveshje

Prishtinë | 20 Tet 2016 | 09:36 | Nga

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Zgjim Hyseni, ka thënë se nuk është e vërtetë që Serbia dhe Shqipëria kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi për ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore që kalojnë nëpër territorin e Kosovës, pa e marrë pëlqimin e Qeverisë së Kosovës. Madje, sipas tij, qeveria duhet të japë llogari se pse nuk po zbatohen ende marrëveshjet me Shqipërinë.

“Së pari, kjo nuk është e vërtetë, dhe kjo mund të dëshmohet shumë lehtë nga diskutimet që janë bërë në samitin e Parisit dhe po ashtu edhe nga vizita e fundit zyrtare e Hashim Thaçit në të cilën shoqërohej edhe nga ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku. Në deklarimin zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës të Republikës së Kosovës lexohet qartë se pala e Kosovës jo vetëm që ka qenë e njoftuar por dhe e koordinuar me institucionet homologe të Republikës së Shqipërisë edhe për infrastrukturën rrugore edhe atë hekurudhore. Nuk po kuptohet se kujt i intereson që ta vendosë në këtë lloj perspektive marrëdhënien Kosovë- Shqipëri”, ka thënë ai në një prononcim për “Zërin”.

Sipas tij, duhet që t’i bashkojmë rrugët e kombit shqiptar.

“A janë këto projekte më të mirat dhe më strategjikët? Kjo është në fakt pyetja që na nevojitet të shtrojmë. Në gjykimin tonë para se ta shtrijmë infrastrukturën me Serbinë, na duhet të bashkonim rrugët e kombit tonë, ta forconim prodhimin tonë deri në masën sa të ishim konkurrues përballë Serbisë në rajon”, ka shtuar Hyseni.

Tutje, ai ka thënë se qeveria duhet të japë llogari se pse nuk po zbatohet asnjë marrëveshje e nënshkruar me Shqipërinë.

“Ministrat dhe kabineti qeveritar para se ta thonë këtë duhet të japin llogari pse nuk po zbatojnë gati asnjë marrëveshje të nënshkruar nga dy qeveritë e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Si dhe të bashkojnë koordinimin për ta vënë në punë interkonjeksionin që e mban peng Serbia edhe falë negociatave pa parime që po zhvillon tash e 5 vite qeveria e Kosovës”, ka përfunduar Hyseni.

Të ngjashme