Ish- këshilltari i Kadri Veselit tregon ku gabuam me njohjet

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Ish- këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi i ka komentuar tërheqjet e njohjeve që po i bëhen Kosovës.

Latifi ka thënë se Kosova ka bërë gabim të madh strategjik duke e orientuar politikën e njohjeve drejt    shteteve të vogla. Nëpërmjet një statusi në Facebook, Latifi ka thënë se është menduar  gabimisht se duke e rritur numrin formal të njohjeve  do të përmirësohet edhe statusi ynë në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve, shkruan Ekonomia Online.

Ky është statusi i plotë i Latifit:

Shteti ynë ka bërë një gabim të madh strategjik duke e orientuar politikën e njohjeve drejt shteteve të vogla. Kemi menduar se duke e rritur numrin formal të njohjeve, vetvetiu do të përmirësohet edhe statusi ynë në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve. Nuk është dashur shumë mend për të kuptuar naivitetin e këtij mendimi, sepse dihet fare qartë se edhe nëse do të na njihnin të gjitha shtetet e vogla në Afrikë, Azi, e Amerikë Latine, gjëndja jonë nuk do të ndryshonte për të mirë. Barrierat tona qëndrojnë diku tjetër : tek fuqitë e mëdha, si Rusia, Kina, India, Brazili dhe pesë shtetet e Bashkimit Europian të cilat vazhdojnë të këmbëngulin në mosnjohjen e Kosovës. Prandaj, është dashur qëmoti të hiqnim dorë nga vetmashtrimi me njohjet e vogla, të cilat, për më tepër, na janë kthyer bumerang nga interferimi diplomatik i Serbisë. Çnjohja nga Sierra Leone është më e fundit në këtë histori të gabimeve trashanike të diplomacisë kosovare.

Të ngjashme