Ish-këshilltari i Thaçit: Haradinaj u ridëshmua si partner i padenjë, prishi balancimin politik

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Ish-këshilltari politik, i ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, është përfshirë në debatin virtual në vend, për krizën e krijuar rreth çështjes së presidentit.

Behramaj në reagimin e tij thotë se është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ai që ka dëmtuar balancin politik, duke e dëshmuar veten si partner të padenjë, njofton Klan Kosova.

Si rezultat ai thotë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve për një krizë të re politike.

”Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, jo për zgjidhje, por për një krizë të re politike. Në vend që partitë t’i ruanin dhe forconin partneritetet politike, të tashmet ato po i rrënojnë dhe të mundshmet po i minojnë. Zgjedhja e presidentit të ri nuk është ekuacion me shumë të panjohura. Nëse presidenti i ri zgjidhet tash, pa përfshirjen e njërës prej partive opozitare nuk mund të zgjidhet. Nëse vendoset të shkohet në zgjedhje të reja, sërish pa përfshirjen e dy prej tri partive më të mëdha nuk mund të zgjedhet. Pa një koalicion të gjerë nuk do të mund të krijohet as Qeveria e re. Në anën tjetër, cilado prej subjekteve të mëdha politike që e mundëson zgjedhjen e presidentit të ri, natyrshëm që e propozon atë. Ramush Haradinaj thjesht e ka prishur balancimin politik, duke u ridëshmuar si partner i padenjë. Me apo pa zgjedhje, ai asnjë gjasë nuk e ka të bëhet president, sepse është shumë përtej vlerës së tij politike. Në këtë legjislaturë e ka vetëm fuqinë për të prishur punë. Por, pas zgjedhjeve të reja, as këtë fuqi nuk do ta ketë. Sa më herët që zhbllokohet kjo situatë dhe arrihet marrëveshje politike për presidentin e ri, aq më shpejt shkarkohet ky tension politik dhe aq më shumë i lehtësohet barra popullit dhe shtetit!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme