Ismaili viziton Veselin në Hagë: Epopeja e UÇK-së, dhembja dhe krenaria jonë e përbashkët

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, është duke qëndruar në Hagë për vizitë te ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Nga atje Ismaili ka thënë se “Epopeja e 5, 6, 7 marsit është dhembja dhe krenaria jonë e pafundme kur Adem dhe Hamzë Jashari, me familjet e tyre, sulmeve barbare të Serbisë iu përgjigjen me armë dhe këngë, dhe një nga një dhanë jetën e tyre – për të mos u harruar kurrë”.

Ai tha se pushkët që filluan aty nuk u ndalën më në gjithë Kosovën deri në çlirimin e saj.

“Kjo epope do t’i mobilizonte mijëra të rinj e të reja që t’i bashkoheshin UÇK-së, për ta ndalur gjenocidin serb dhe për t’i dhënë mundësi jetës e lirisë.”, ka shkruar Ismaili. “Edhe sot, kur ndodhem në Hagë, për vizitë te ish Kryetari Kadri Veseli, një ndër bashkëluftëtarët e Adem Jasharit dhe një ndër themeluesit e UÇK-së, dhembja dhe krenaria janë të përbashkëta për ata që vazhduan në rrugën e lirisë, dhe me heroizmin e tyre e të popullit tonë Kosova është e lirë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Në fund, Ismaili ka shprehur nderim të përjetshëm për heronjtë dhe për të gjithë të rënët e lirisë.

Të ngjashme