KMDLNj: Përse Ballkanit i është dashur një gjykatë për krime lufte si gjykata e Nyrembergut

Prishtinë | 18 Pri 2019 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Luftërat e fundit në Ballkan e të cilat , që të gjitha i shkaktoi Serbia apo federata e mbetur jugosllave pati rezultuar me mijëra e qindra mijëra të vrarë (kryesisht civilë), mijëra të zhdukur, një numër i madh dhe i papërcaktuar i femrave (por edhe meshkujve) seksualisht të dhunuar, miliona refugjatë dhe të zhvendosur si dhe dëme materiale aq të mëdha saqë nuk kanë mundur të vlerësohen.

Pas Gjykatës së Nyrenbergut i cili i dënoi krimet e nacizmit si dhe pjesën më të madhe të udhëheqësve politikë, ushtarakë dhe policorë gjerman, me dënime shembullore, u formua Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë, me seli në Hagë i cili , për dallim nga Gjykata e Nyrembergut bëri përpjekje më shumë për shpërndarje të përgjegjësive penale për krime midis palëve ndërluftuese sipas formulës së barazpeshimit e që ishte në kundërshtim me të drejtat e viktimave për drejtësi, si e drejtë elementare e njeriut. Gjykata për Krime Lufte në Hagë pati thuaja qëndrim paternalist ndaj atyre që u gjykuan për krime të rënda kundër njerëzimit dhe zakoneve të luftës. Pas kësaj, në Serbi u themelua një dikaster gjyqësor për krime lufte ku shqiptoheshin dënime simbolike e që KMDLNj u vërtetua pasi mori pjesë në gjykimin kundër Sasha Cvjetanit, përgjegjës për masakrën në Podujevë ku u vranë shumë anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Gashi.

Në Kosovë, në atë kohë të drejtën ekskluzive dhe të vetme për hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës e kishte UNMIK-u i pasuar pastaj nga EULEX-i. Trupat gjykues të këtyre misioneve ndërkombëtare në 80 – 85% të rasteve kanë arrestuar dhe gjykuar shqiptarë për krime lufte ndërsa 10-15% kanë qenë pjesëtarë të pakicave; serbë, romë dhe të tjerë në ndërkohë që së paku  90% e viktimave kanë qenë shqiptarë e që është një shpërputhje e madhe në raport të dyshuar për krime lufte dhe viktima e që rast të tillë nuk kemi në asnjë vend në botë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut pati dalë me një propozim që në Kosovë të formohet një Prokurori dhe Gjykatë Speciale për Krime Lufte e që do t’i trajtonte rastet që nuk janë marrë në konsideratë nga Tribunali për Krime Lufte për ish Jugosllavinë në Hagë. Kryetari Pajazit Nushi, sekretari Behxhet Shala dhe anëtari i Kryesisë së KMDLNj-së Ibrahim Makolli kanë përpiluar një kërkesë dhe kanë kontaktuar autoritetet kosovare të drejtësisë të cilët e kanë përkrahur idenë e KMDLNj-së por se kanë hasur në kundërshtim të ndërkombëtarëve (shtyllës së IV-të të UNIK-ut) që kanë deklaruar se për rastet me të rënda të krimeve të luftës në Kosovë, kompetente është Gjykata e Hagës kurse për rastet e tjera janë gjykatat e UNIK-ut. Ky është një sqarim për opinionin sepse mbizotëron një bindje se ka munguar vullneti politik i udhëheqësisë kosovare e që nuk është e vërtetë. Ndëkombëtarët nuk kanë lejuar kalimin e kompetencave për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës në duart e vendorëve.

Dosjet për krime lufte nga UNMIK kanë kaluar në EULEX pa dhënë rezultate të prekshme dhe pa siguruar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Gjykatat në Serbi kanë shqiptuar dënime qesharake kurse gjykatat në Kosovë (e përbërë nga gjykatës vendorë dhe ndërkombëtarë) nuk kanë ndarë drejtësi për viktimat. Gjyqësori kosovarë,  pas marrjes së disa kompetencave është përballur me mungesë të prokurorëve specialë (1 prokurore) dhe gjyqëtarëve për trajtimin e rasteve të tilla. Kalimi i kohës (thuaja 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë), vdekja e dëshmitarëve okularë si dhe mosha po e vështirëson ndjekjen efikase dhe vënien para përgjegjësisë penale të dyshuarve dhe të akuzuarve për krime lufte. Refuzimi i Serbisë për dorëzimin e të dyshuarve  për krime lufte e që janë nën mbrotje të shtetit serb si dhe mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim me autoritetet gjyqësore kosovare i kanë detyruar institucionet e Kosovës të bëjnë ndryshime në legjislacionin aktual duke krijuar mundësi edhe të gjykimit në mungesë për krime lufte , në pamundësi të sigurimit të pranisë të të akuzuarve e që nga aspekti i të drejtave të njeriut kontestohet për faktin se të akuzuarit janë të privuar nga mundësia e një mbrojtjeje efektive.

Serbia e as ndërkombëtarët nuk kanë pranuar t’i ekstradojnë apo nuk kanë kërkuar ekstradimin e 20 , serbë dhe romë të dyshuar dhe të arrestuar për krime lufte dhe të cilët , në rrethana të pasqaruara janë arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë në vitin 2000.

Nën një presion të madh deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin detyruar të votojnë Dhomat e Specializuara – Gjykatën Speciale në Hagë që do t’i trajtojë rastet nga një raport politik i Dik Martit, senatorit zvicran. Kjo Gjykatë Speciale, 100% është në përbërje  ndërkombëtare, nga niveli vendimmarrës e deri te ai ekzekutiv apo mbikëqyrës. Rezultatet e Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNIK-ut dhe EULEX-it janë në shpërputhje të madhe me pritjet e viktimave dhe familjarëve të tyre për sigurimin e drejtësisë dhe satisfakcionit.

Edhe Gjykata Speciale për Kosovën, si një sui generis, nuk ka shenja se do të sigurojë drejtësi për viktimat; të intervistuarit më shumë kanë frikë nga gjoba për kundërvajtje në trafik se nga Gjykata Speciale.

Formimi i komisioneve për krime lufte, së voni dhe kërkesa për themelimin e Gjykatës për krimet e Serbisë në Kosovë janë puro politike, nuk do të prodhojnë asnjë efekt juridik dhe do të përdoren për konsum të brendshëm.

Nëse Kosova është detyruar të themelojë një Gjykatë Speciale në bazë të një raporti politik të Dik Martit, Serbia nën asnjë kusht nuk do ta pranojë këtë por mungon edhe vullneti dhe presioni politik i ndërkombëtarëve ta detyrojnë Serbinë të jetë bashkëpunuaese në gjykimin e rastve të krimeve të luftës.

Përfundimisht, gjykatat në Serbi dhe Kosovë nuk kanë kapacitet profesional dhe vullnet politik t’i gjykojnë në mënyrë shembullore, siç bëri Gjyqi i Nyrembergut,rastet e krimeve të luftës prandaj do të mbetet e paarritshme drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve fetare, moshës, gjinisë dhe statusit në shoqëri. Ky është shembull i keq për zbatimin e Drejtësisë Tranzicionale, për ballafqim me të kaluarën dhe mospërsëritje. Pajtimi, si një domosdoshmëri e mbështetur në vullnetin e atyre që duan dhe kanë çka të falin, në rrethana të imponimit dhe kushtëzimit, mbetet mision i pamundur !

Të ngjashme