Kosova dhe Malta do të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre

Prishtinë | 11 Dhj 2020 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një takim virtual me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropës të Republikës së Maltës, z. Evarist Bartolo.

Ministrja Haradinaj-Stublla dhe Ministri Bartolo diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet rajonale dhe perspektivën Euro-Atlantike të Kosovës.

Shefja e diplomacisë kosovare shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Maltës ndaj Kosovës dhe për rolin e saj mëse pozitiv të treguar përgjatë viteve.

Në këtë video-takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm midis dy shteteve ndërsa u nënvizua nevoja për rritje të bashkëpunimit ekonomik.

“Malta mund të mbështesë Republikën e Kosovës në zhvillimin e e-qeverisjes dhe sistemeve të administrimit elektronik për të cilat është pararojë në Evropë”, u shpreh me këtë rast ministrja Haradinaj-Stublla, duke shprehur gatishmërinë e Kosovës për të  thelluar më tej bashkëpunimin me vendin ishullor, anëtar të Bashkimit Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme