Kosova i bashkohet ShBA-së në kundërshtimin e zgjedhjeve të manipuluara në Venezuelë

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës i bashkohet SHBA-së, BE-së dhe aleatëve të tjerë në kundërshtimin e fuqishëm të regjimit të Nicolas Maduro, pas manipulimit të zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare me ç’rast u diskualifikuan dhe u persekutuan liderët opozitarë dhe u cungua vullneti i lirë i qytetarëve të Venezuelës.

Shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, në reagimin e saj, tha se Kosova merr me shqetësim gjetjet në raportin e Sekretariatit të Organizatës të Shteteve Amerikane (OAS) me të cilin rikonfirmohen krimet kundër njerëzimit nga ana e regjimit të Maduros në Venezuelë.

“Shprehim kundërshtimin tonë të fuqishëm të përpjekjeve të regjimit të Maduros për të mashtruar botën me zgjedhjet jo legjitime, e të cilat nuk shprehim vullnetin real të popullit të Venezuelës”, thuhet në reagimin e shefes së diplomacisë kosovare, duke e bërë të qartë se zgjedhjet në Venezuelë nuk pasqyrojnë vullnetin e popullit të saj.

Ndryshe, Kosova e rreshtuar përkrah SHBA-së dhe aleatëve të tjerë, në mënyrë të vazhdueshme ka dënuar shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shtypjen ndaj popullit të Venezuelës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme