Kurteshi: Intervenimi i Policisë në VV kishte elemente terroriste

Prishtinë | 18 Dhj 2016 | 15:05 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në 18 dhjetorin e vitit të kaluar 78 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar kallëzimet e tyre penale në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në lidhje me intervenimin policor të 28 nëntorit në Selinë e VV-së.

Sipas kësaj Lëvizjeje  nuk është ndërmarrë asnjë veprim, përkundër kërkesës së vazhdueshme nga institucione kredibile vendore e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi, gjatë konferencës për media tha se e tërë kjo tregon se sistemi shtetëror në Kosovë është i kapur nga një regjim kriminal me elemente fashiste e terroriste. Duke shtuar po ashtu se e tërë kjo ka qenë pjesë e skenarit për eliminimin e VETËVENDOSJE!-s nga skena politike.

“Intervenimi i Policisë në zyrat e Lëvizjes me njësitë antiterroriste, ka pasur elemente terroriste. Qëllimi i intervenimit ka qenë krijimi i panikut, së pari midis aktivistëve, e pastaj edhe midis qytetarëve, të cilët janë sulmuar brutalisht, në mënyrë klandestine, me numër jashtëzakonisht të madh të forcave policore (mbi 1000) të të gjitha njësive, përfshirë edhe Njësitet Antiterroriste FIT, me përdorimin e të gjithë arsenalit të disponueshëm të armëve të zjarrit në Policinë e Kosovës”, deklaroi Kurteshi.

Ai shtoi se ky veprim terrorizues i policisë është bërë pa asnjë vendim të ndonjë gjykate në Kosovë, por sipas urdhërit politik të regjimit fashistoid të Thaçit, Mustafës e Veselit. E po ashtu sqaroi se kallëzuesit i kishin bazuar pretendimet e tyre në përshkrimin kushtetues 128, par. 4, i cili përkufizon zixhirin komandues në Policinë e Kosovës dhe rrjedhimisht për personat përgjegjës thotë se duhet të bartin pasojat e veprimeve policore të asaj dite, duke kërkuar ndjekjen e tyre.

Kurteshi përmendi shqetësimin e Amnesty International dhe kërkesën për hetimin e dhunës të asaj dite drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, si dhe kërkesën nga Avokati i Popullit për iniciimin e hetimeve. Por, ai theksoi se i gjithë mosveprimi shpjegohet duke pasur parasysh se në krye të organeve të rendit ka njerëz si Shpend Maxhuni e Rashit Qalaj apo në krye të drejtësisë njerëz si Ymer Beka, Sylë Hoxha e Metush Biraj, duke i quajtur të gjithë shërbyes të klanit “Pronto”.
“Të gjitha këto që kanë ndodhur shkelin Neni 6 të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe Nenin 53 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjera Sami Kurteshi, duke përmendur se pas intervenimit të 28 nëntorit, pushteti dhe analistë e gazetarë të afërt me pushtetin kanë cilësuar si veprime terroriste shumë aktivitete të VETËVENDOSJE!-s dhe kanë motuar akuza ndaj 6 aktivistëve pa asnjë dëshmi të qëndrueshme.

Tentimi për nxjerrjen e Lëvizjes nga skena politike e Kosovës është pasojë e frikës nga filozofia e saj politike, qëndrimit të saj parimor në lidhje me problemet politike e shoqërore në Kosovë e më gjerë dhe për shkak të veprimit të saj të vazhdueshëm konkret kundër veprimeve antishoqërore, antikombëtare dhe kundërkushtetuese të këtij regjimi, kundërshtia ndaj të cilit nuk do të ndalet në asnjë moment.

Të ngjashme