Kurti: Dialogu është për statusin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, nuk janë për statusin e Kosovës

Prishtinë | 27 Qer 2021 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është duke zhvilluar një diplomaci intenzive dhe shumë më cilësore sesa në vitet e shkuara.

Ai në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ka deklaruar se Kosova është një shtet i fokusuar për paqe, demokraci dhe fqinjësi të mirë, duke shtuar se duke pasë këto parasysh vendi do të ec para më rrugën euroatlantike dhe atë evropiane.

I pari i vendit ka deklaruar se ata pranojnë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë kur ajo e ka përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi traktatet.

“Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme, për ne marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje që e ka vetëm njohjen nga Serbia dhe nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por s’mund të jetë përfundimtare”.

“Marrëveshja është ligjërisht e obligueshme nga pikëpamja dhe bindja jona atëherë kur e ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi traktatet”.

Kurti ka theksuar se bisedimet Prishtinë-Beograd janë për statusin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe jo vetëm për Kosovën.

“Po bëhen 23 vjet prej kur janë bisedimet Kosovë Serbi, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin e BE-së, nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, duhet ta dimë qysh në fillim se dialogu dhe bisedimet nuk kanë janë për statusin e Kosovës, për statusin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”.

“Pavarësia që e kemi është kompromis, nuk e kemi shpallur vitin e kaluar, por para 13 vjetëve, katër vjetët e para pavarësia e kishte Piter Faith si autoritet sovran. Tash, e 13 e vjet është pakoja e Ahtisarit si kompromis që është dashtë të sjell një rezolutë të re në OKB, por që nuk ndodhi asnjëherë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se edhe marrëdhëniet me Shqipërinë i kanë të mira“Ne kemi marrë vendimin si qeveri që për shtetasit e Shqipërisë të hiqet detyrimi për leje qëndrim të përkohshëm, në mënyrë që ata të punësohen pa problem në Kosovë”

Të ngjashme