Kurti në takim me Minxhozin, kritikon Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar sot me ambasadorin e Shqipërisë  në Kosovë, Qemajl Minxhozin, raporton Gazeta Express.

Këtë e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti.

Në njoftim thuhet se në takim është folur për situatën politike dhe gjendjen e përkeqësuar të shëndetit publik si rezultat i përhapjes së koronavirusit.

“Kosova, nga një histori suksesi në menaxhimin e pandemisë shpejt ka rrëshqitur në grupin e vendeve të cilat po përjetojnë përkeqësim të përshpejtuar të situatës. Kjo kërkon vëmendje prioritare, planifikim dhe guxim për ndërhyrje që sigurojnë menaxhim dhe luftim efikas të pandemisë. Në këtë drejtim, u fol për rëndësinë dhe nevojën për bashkëpunim mes dy vendeve përballë kësaj sfide”

“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka rëndësi historike të pazëvendësueshme. Ai duhet të shtrihet në shumë rrafshe, duke filluar nga ai bilateral ekonomik, me qëllim rritjen e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve. Pas goditjes që pandemia i ka dhënë ekonomive tona, nevoja për ta shtuar bashkëpunimin është bërë e domosdoshme, ishte përshtypja që ndanë Kryetari Kurti dhe ambasadori Minxhozi në këtë takim”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme