Kurti pas thirrjes së Thaçit që VV-ja të japë emrin e mandatarit: Do t’i përgjigjemi në një moment të përshtatshëm

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se do t’i përgjigjet kërkesës së presidentit që të japin emerin e mandatarit të ri për Qeveri.

Ai ka thënë se pavarësisht shkeljeve të presidentit, do t’i përgjigjen në një moment të përshtatshëm.

Postimi i plotë i Kurtit:

“Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë. Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020! Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”.

Gjatë ditës Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi iu është drejtuar përmes një letre kreut të qeverisë në detyrë e shefit të LVV’së, Albin Kurti nga i cili ka kërkuar që të propozojë kandidatin e ri që të mandatohet për kryeministër.

Thaçi e ka njoftuar Kurtin se do të marrë hapat e nevojshëm sipas Kushtetutës së Kosovës, për formimin e Qeverisë së re, derisa, thotë se subjekti i parë i dalë nga zgjedhjet ka të drejtë propozimin edhe të një kandidati për kryeministër.

Të ngjashme