Kurti pro hapjes së arkivave të UÇK-së: S’kemi çka fshehim, ishim nën administrim ndërkombëtar

Pejë | 13 Sht 2021 | 08:55 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkrahur idenë që të hapen arkivat e UÇK-së.

Teksa ka folur për këtë, Kurti i pyetur nga Ekonomia Online, tha se me hapjen e arkivave, do të ndihmohej të gjendeshin të pagjeturit.

Ai insiston se duhet të hapen edhe arkivat në Beograd sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së. Ne jeni shumë të hapur e transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve. I kemi edhe 1630 dhe për këtë duhet t’i hapim arkivat në Beograd; sepse vrasjet në Kosovë, varrosjet e atyre të vrarëve në masakra, pastaj varrosjet në Serbi e zhvarrosjet prej andej nuk janë bërë nga qytetarët serbë por janë bërë nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar. Të gjitha këto duhet të hapen një orë e më parë”, tha ai.

Shefi i Qeverisë ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka çfarë të fsheh, pasi sipas tij, nga përfundimi i luftës, Kosova ka qenë nën administrimit e ndërkombëtarëve, raporton EO.

“Kosova që nga viti 1999 e këndej ka qenë nën administrim ndërkombëtar. Kemi pasur UNMIK-un, EULEX-in, e kemi pasur Tribunalin e Hagës, pra vend më transparent e më të hapur, jo vetëm për arkiva, se Kosova nuk ka. Ajo që duhet të hapet është Serbia. Gjenocidi në Bosnjë dhe në Kosovë kërkojnë që të zbardhet e vërteta, që të dihen edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit dhe para së gjithash të merret vesh fati i atyre që na mungojnë”, theksoi Kurti.

Sipas tij, për hapjen e arkivave duhet të flitet edhe në forume ndërkombëtare.

” Pikënisja ime si kryeministër dhe e qeverisë sonë, nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë, por mbrojtja e interesit të vendit tonë dhe vullneti ynë i pa epur për të drejtën tonë dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar ne duhet të kemi kryefjalë hapjen e arkivave atje, meqenëse ne kemi dukurinë që pasi lirohen nga Tribunali i Hagës kriminelët e luftës, ata bëhen profesorë në Akademinë ushtarake”.

“Është tejet e rëndësishme që ne ta themi të vërtetën dhe ta synojmë të drejtën pa e paramenduar gatishmërinë, apo përmasën e gatishmërisë eventuale të Serbisë. Ne duhet ta mbrojmë interesin tonë dhe duhet t’ dalim zot njerëzve tanë që kanë humbur e vuajtur shumë”, shtoi kreu i Qeverisë.

Këto komente kreu i Qeverisë i bëri pasi morri pjesë në edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Fondacionin Friedrich-Ebert, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme