Kurti thotë se kërcënimet ndaj tij po vijnë në kohën kur Thaçi është në panik

Prishtinë | 20 Maj 2020 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Kanë nisur hetimet ndaj kërcënuesve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Policia e Kosovës ka thënë për KOHËN se të gjitha veprimet janë duke u ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale.

Mbrëmë kryeministri Kurti publikoi një kërcënim që thotë ta ketë marrë nga i ashtuquajturi grupi “Garda Vullnetare Shqiptare”.

“Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, presidenti i Republikës e humb rastin”, kishte shkruar Kurti.

Edhe të mërkurën kryeministri hapur ka akuzuar presidentin Thaçi, duke thënë se kërcënimet vijnë pikërisht pasi ai ndodhet në panik.

Kurse, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për KOHËN se çdo kërcënim ndaj liderëve institucionalë dhe politikë në Kosovë duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë.

“Rastet si ky në radhë të parë duhet trajtuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, i cili institucion duhet këto informata t’i analizojë dhe të marrë veprime konkrete për të zbuluar kush qëndron prapa këtyre kërcënimeve. Duhet të ketë koordinim dhe bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë që ky rast të trajtohet me top-prioritet dhe kërcënuesit apo urdhëruesit potencialë të vihen para drejtësisë”, ka thënë Miftaraj.

Ndërkohë, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku nga Vetëvendosje e ka dënuar kërcënimin dhe ka kërkuar nga autoritetet që përgjegjësit t’i sjellin para organeve të drejtësisë.

“Si kryetare e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes pres nga institucionet e thirrura për siguri ta trajtojnë me shumë seriozitet dhe prioritet këtë kërcënim të hapur dhe të gjenden autorët që duhet të përgjigjën para organeve të drejtësisë”, është shprehur Mullhaxha-Kollçaku.

Edhe zëdhënësi i Partisë Demokratike, Avni Bytyçi, ka kërkuar nga organet e drejtësisë të merren seriozisht me këtë kërcënim.

Ai, megjithatë, ka shtuar se duhen hetime për t’u kuptuar nëse ishte sajesë nga Kurti apo kërcënim i vërtetë.

“Kërcënimi me jetë i deklaruar nga kryeministri tani më i shkarkuar nga e ashtuquajtura ‘Garda Vullnetare Shqiptare’ duhet të hetohet urgjentisht nga organet e rendit dhe të drejtësisë. Kjo është një çështje shumë serioze! Është me rendësi për qytetarët dhe për vendin tonë që të qartësohet saktë se a ka qenë i vërtetë ky kërcënim dhe nëse po, çfarë rreziku paraqet ky grup i padëgjuar më parë, por edhe të sqarohen dyshimet se kjo mund të jetë një sajesë tjetër e kryeministrit në detyrë për të ndjellë panik e pasiguri tek qytetarët, duke shfrytëzuar këtë rast edhe për t’i kërcënuar e frikësuar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së.

Të ngjashme