Kusari-Lila: Haradinaj fajtori kryesor për devijimin e dialogut

Prishtinë | 05 Shk 2020 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Deputetja nga lista e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ish-kryeministri Ramush Haradinaj është fajtor për devijimin e dialogut me Serbinë.

“Ish-kryeministri Ramush Haradinaj është fajtori kryesor që ka devijuar procesi i dialogut. Haradinaj me vetëdije të plotë dhe me shkelje të përgjegjësive të tij kushtetuese ia kaloi dialogun presidentit Thaçi, përderisa është vendim i Kuvendit të Kosovës që bisedimet me Serbinë t’i vazhdojë qeveria”.

“E kemi kryeministrin Albin Kurti që edhe para edhe pas, edhe tash si kryeministër, ka thënë se do ta udhëheqë dialogun me Serbinë”.

“Ti nuk mund të kërkosh përgjegjësi prej dikujt me mekanizma që ti i bën njëanshëm, derisa nuk e merr përgjegjësinë që të shkosh atje dhe të bisedosh. Nëse ai [Ramush Haradinaj] mendon se me vendosjen e taksës e ka ndalë dialogun në kuadër të të cilit është diskutuar ndarja e Kosovës, pse nuk ka shkuar në tavolinë dhe ta ndalë ndarjen e Kosovës? Pse nuk e ka marrë përgjegjësinë të cilën e ka kërkuar që disa vite?”.

“Ish-kryeministri Haradinaj ka treguar që nuk ka aftësi të qeverisë me vendin  dhe si rrjedhojë e mungesës së aftësive të tij, qoftë në diplomaci apo qeverisje, ka gjetur kauza pas të cilave fshehet – si taksa 100 për qind – dhe i arsyeton të gjitha veprimet e tij që kanë shkuar keq për vendin”.

Ndonëse u duk se kryeministri Kurti dhe kryeparlamentarja Osmani mund të kenë qëndrime të ndryshme rreth heqjes së taksës dhe vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, Kusari-Lila në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ka pajtim të plotë mes partnerëve të koalicionit për këtë çështje.

“Komentet e deklaratës së kryeparlamentares [Vjosa] Osmani dhe kryeministrit [Albin] Kurti janë çështje të nuancave. Kryeministri Kurti gjithmonë i ka thënë ato që tha edhe kryeparlamentarja Osmani se duhet të bëhet analiza e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tash, funksionimi, zbatimi i tyre dhe të tjera”.

Por, a mendon ajo se miqtë ndërkombëtarë dhe aleatët e Kosovës do të pajtohen për një gjë të tillë  – reciprocitet të plotë me Serbinë?

“Jam e bindur se ekziston mirëkuptim për atë që Kosova duhet të ketë një mekanizëm të cilin e mban përgjegjës Serbisë, sepse sa herë kemi lëshuar terren Serbia e ka keqpërdorur dhe do ta keqpërdorë”.

“Në muajin mars në Serbi do të ketë zgjedhje dhe para zgjedhjeve ata e ashpërsojnë gjuhën populiste nacionaliste. Do të ketë shumë pak hapësirë që të ketë lëvizje në procesin e dialogut. Takim mund të ketë, por sa do të ketë rezultat që do të përmbyllet me diçka është shumë e vështirë”.

“Në Serbi do të ketë zgjedhje, derisa në Kosovë është ende në konsolidim qeveria. Mund të shkojë deri pas zgjedhjeve në Serbi që pastaj të ketë një vendim ose do të ketë një format të parapërcaktuar për takimet e përbashkëta ose vazhdimin e dialogut”.Klan.Kosova.

Të ngjashme