“Kuvendi ka të drejtë të refuzojë çfarëdo marrëveshje të pafavorshme për vendin”

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 12:32 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi  është përcaktues i fatit të çdo pëllëmbe të territorit të Kosovës, u tha në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën “Dialogu Kosovë-Serbi: Rrugë e gjatë deri te Marrëveshja?”.

Arsim Bajrami, profesor i së Drejtës Kushtetuese, tha se presidenti ka të drejtën të udhëheqë me dialogun, mirëpo kuvendi mund të refuzojë çfarëdo marrëveshje që nuk është në favor të vendit, raporton Ekonomia Online.

“Arritja e marrëveshjes është detyrim shtetëror që implikon të gjitha institucionet, duke nisur nga parlamenti e përfshirë edhe presidentin. Kushtetuta e Kosovës ka vendosë qartazi kufizimet sa i përket marrëveshjes shtetërore, të cilat kërkojnë vendimin final të sovranit të Kosovës dhe se vendimi final duhet të jepet nga kuvendi”.

“Palët e autorizuara janë presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm. Presidenti duhet të jetë i vetëdijshëm që marrëveshja do të ratifikohet në kuvend. Të drejtën ekskluzive për me pasë përfundim final e ka Kuvendi i Kosovës. Presidenti e qeveria i kanë kompetencat e veta, mirëpo vendimet i merr parlamenti i cili ka të drejtë të refuzojë çfarëdo marrëveshje”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se Kuvendi i Kosovës është përcaktues i fatit të territorit të Kosovës, raporton EO.

“Çështjet që kanë për objekt sovranitetin territorial, marrëveshjet politike, borxhin e jashtëm, aleancat ushtarake, pozitën e individit në shoqëri si dhe çështjet që lidhen me identitetin nacional dhe shtetëror janë kompetenca që nuk i takojnë shefit të shtetit, por përfaqësuesit të sovranit – parlamentit. Dikur ky lloj i kompetencave i ka takuar mbretit. Nga kjo del qartë se pika e vetme e referimit është Kushtetuta e Kosovës, dispozitat e së cilës nuk çojnë në asnjë organ tjetër pos në drejtim të Kuvendit si përcaktues i fatit të çdo pëllëmbe të territorit të Kosovës, përfshirë edhe çdo negocim të lidhur me të”.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se e mbështesin dialogun me Serbinë, mirëpo jo marrëveshjet që janë në dëm të Kosovës, raporton EO.

“Ne në ketë proces të dialogut nuk duhet të hyjnë vetëm, por me partnerët tanë. Ne jemi të interesuar që kjo çështje të përmbyllet sa më herët, por jo në dëm të Kosovës. Dialogu duhet të udhëheqet nga institucionet kredibile të vendit. Roli i presidentit është përfaqësues në politikën e jashtme. Ne jemi kundër idesë së rishikimit të kufijve të Kosovës. Korrigjimi i kufijve është korrigjim i deklaratës së pavarësisë. Ne duhet të pajtohemi për datën e zgjedhjeve në mënyrë që të dalim nga kriza”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se nuk do t’i kontribuojnë asnjë dokumenti që ia siguron presidentit platformën për të negociuar me Serbinë.

“Ka sistem politik që figurat politike janë më të forta se kushtetuta, e ky sistem është në Kosovë. Kosova e ka një rezolutë që e përcakton se kush duhet të bëjë negociata me Serbinë. Presidenti ka dalë në skenë një ditë, ka thënë se unë du me bë dialogun me Serbinë. Pasi ai e pervetëson këtë proces, ndodh një takim mes kryeministrit dhe presidentit dhe aty e kuptuam qe kryeministri ia dorëzoi mandatin për dialogun me Serbinë. Mirëpo kjo nuk mund të ndodhë duke anashkaluar kuvendin. Tema që e ka ngritë presidenti për kufij nuk është çfarëdo teme”, tha ai.

Dukagjin Gorani, deputet i PSD-së, tha se ideja e presidenti ka pronësuar një proces e që, sipas tij, kjo ka ngritur tensione në vend.

“Drama që ka ndodhur këta muaj është se në mënyrë të ngathët presidenti e ka pronësu një opsion që ka shkaktu reagime e tensione të mëdha në vend. Është e vështirë që për një proces të domosdoshëm të diskutohet në një situatë të tillë. Duhet të gjendet forma që politika e vendit të ofrojë një opsion që të diskutohet publikisht”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se partitë politike kanë qëllimin e njëjtë lidhur me dialogun, mirëpo i dallojnë interesat e ngushta partiake.

“Dialogu ka rezolutë me disa marrëveshje që nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë dhe kanë komplikuar procesin. Ne kemi thënë po dialog me ndërmjetësim. Ky është qëndrim i gjithë spektrit politik të Kosovës. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë me njohje reciproke. Interesat e Kosovës janë të përbashkëta, mirëpo partitë i dallon çështja politike e interesave të ngushta. Kryeministri më saktë se kushdo tjetër e thotë se prekja e kufijve çon në luftë, dhe kjo është shumë e qartë. Rezoluta që e ka berë PSD-në le të sillet në kuvend dhe ne do të votojmë”, tha ai.

Bilall Sherifi, shef i grupit parlamentar i Nismës, tha se të gjitha proceset me Serbinë duhet të zhvillohen në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

“Ne duhet ta trajtojmë këtë çështje si një shtet i pavarur nga Serbia. Ne nuk mund te shkojmë atje të arrijmë marrëveshje e pastaj ajo të mos kalojë në kuvend”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme