Latifi për fshirjen e komunikatave nga VV: U përshëndetën përgjithmonë me radikalizmin e ditëve të para

Prishtinë | 05 Shk 2021 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Profesori i filozofisë politike, Blerim Latifi, ka reaguar pas fshirjes së të gjitha komunikatave të Lëvizjes Vetëvendosje që janë publikuar nga themelimi i saj, përfshirë edhe ato ku kritikohet presidenti i tanishëm amerikan, Joe Biden.

Sipas Latifit ky veprim i VV-së dëshmon ndryshimin drastik të historisë së kësaj partie.

Madje Latifi tha se “Vetëvendosje ka vetëvendosur të përshëndetet përgjithmonë me radikalizmin e ditëve të para të saj”, shkruan Reporteri.net.

“Mediat po raportojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka fshirë nga faqja zyrtare të gjitha komunikatat që janë publikuar deri në vitin 2014, përfshirë edhe ato ku kritikohet presidenti i tanishëm amerikan, Joe Biden, atëherë ish zëvendëspresident. Ky retushim drastik i historisë së saj është shenja e parë se Vetëvendosje ka vetëvendosur të përshëndetet përgjithmonë me radikalizmin e ditëve të para të saj”, ka thënë Latifi.

Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje ka fshirë nga faqja zyrtare të gjitha komunikatat që janë publikuar deri në vitin 2014. Në mesin e komunikatave që është larguar nga faqja është edhe ajo për presidentin e tanishëm amerikan, Joe Biden.

Pak ditë më parë në media u publikua një komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kritikonte ashpër ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe e quante atë kolaboracionist.

E kjo ka bërë që VV-ja t’i fshijë nga faqja e saj zyrtare në internet të gjitha komunikatat dhe shkrimet e saj që nga viti 2005 deri në 2014.

VV e ka hequr nga faqja e saj komunikatën kushtuar presidentit të tashëm amerikan, Joe Biden, për vizitën e tij si zëvendëspresident i SHBA-së në Kosovë.

Në përmbajtjen e komunikatës të titulluar “Biden e di mirë”, thuhet se ish-zëvendespresidenti amerikan nuk erdhi në Kosovë për t’ia mbajtur një fjalim Kuvendit të Kosovës.

“Nuk besoj ai ta ketë ndjerë nevojën e tifozerisë së deputetëve kosovarë që duartrokasin deri në delir si ndonjëfarë sekti primitiv. Nuk besoj as ta ketë marrë malli për Manastirin e Deçanit apo të ketë ardhur për t’i ngushëlluar ushtarët amerikanë për jetën e rëndë që bëjnë në kampin Bondsteel”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim.

Në faqen e VV-së nuk janë më as komunikata ku përmendet KFOR-i.

Mungon edhe vargu i komunikatave “Brenda mendjes kolonialiste”, ku flitej për misionin e KFOR-it në Kosovë, të cilin VV e quante ‘seksualizim të sferës publike’.

Nga faqja e VV-së janë fshirë edhe komunikatat si “Njësimi i partive politike”, “Gjaku i humbur” si dhe historia disa vjeçare e funksionimit të VV-së në skenën politike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme