Limaj: Pa punë s’ka kurrgjë, më mirë se Kosovën s’gjeni

Mitrovicë | 05 Dhj 2018 | 21:01 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një takim me të rinjtë e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, ia ka porositur ata që t’iu drejtohen qendrave profesionale dhe të vetëpunësohen. Zv.kryeministri i Kosovës i ka lutur të rinjtë që të mos drejtohen jashtë vendit, por të punojnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për energjinë e re, për ju djem e vajza që të bëheni aktivë”, ka thënë kreu i Nismës, në tubimin që është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.

“Sot kurrkush nuk iu kërkon sakrifica kolektive, sot ne po iu themi a ka mundësi me shku në shkollë, me punu, me jua pa hajrin familja. Kështu i shërbeni Kosovës. Kjo bëhet nëse i përvjelim mëngët të gjithë dhe vendosim të punojmë”, tha Limaj.

“Nuk zgjidhet me një njeri asgjë. Nuk mbarohet shteti me një njeri. Shtetin e bëjmë bashkë, duke punu bashkë. Kur e bëjmë bashkë, bëjmë diçka të mirë”.

“Qindra djem e vajza kryejnë përditë fakultet po niveli intelektual nuk po ecë. Fatkeqësisht ka djem e vajza që shkojnë në fakultet dhe nuk mësojnë asgjë. Pse sot mos me e provu me shku me marrë zanat, me shku në kurs, me hi në një profesion dhe përmes atij zanati me zënë një vend pune”, ka theksuar lideri i Nismës Socialdemokrate.

“Dikush mendon që bota është si në MTV dhe mezi pret me shku. Por, kudo që shkon pa punë nuk ka asgjë. Atje bile të thyhet kurrizi dyfish. Kahdo që shkoni, kurrë më mirë se Kosovën nuk do të gjeni”, është shprehur Limaj.

“Jam duke ju folë si prind, jo si politikan, si vendas i juaj, nisjani bëni diçka, krijoni shprehinë e punës”.

Kryetarja e Rinisë së Nismës në Mitrovicë, Hana Aliu, ka thënë se Mitrovica është ndier gjithnjë e lënë anash krahasuar me qytetet e tjera si pasojë e politikëbërjes.

“Të punojmë së bashku drejt idealeve tona, të jetësojmë programet tona. Të bashkohemi te gjithë për ta bërë Mitrovicën siç ishte dikur – vend i mundësive”, ka thënë Aliu, raporton Ekonomia Online.

Në vazhdim, ajo ka numëruar disa nga aktivitetet e fundit të rinisë së Nismës në këtë qytet.

Rinia e nismës ka pasur aktivitet me Kryqin e Kuq, si dhe i është përgjigjur thirrjes “Ta pastrojmë Kosovën”. Aktiviteti i fundit është në Ditën Ndërkombëtare të Njerëzve me Nevoja të Veçanta ku të rinjtë e kësaj partie kanë ofruar përkrahjen.

Më herët, gjatë ditës, Limaj ka mbajtur një takim me të rinjtë e Drenasit dhe Skenderajt. Edhe atje porosia e Limajt drejtuar të rinjve ishte që jo të gjithë duhet të kryejnë fakultete, për të drejtohen nga aftësimi profesional dhe vetëpunësimi. Ai ka premtuar përkrahjen e Qeverisë për projekte vetëpunësuese.

Të ngjashme