Limaj: Rezoluta për territorin ishte tallja e radhës e kësaj qeverie

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 22:31 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Nismës Socialdemokrate, ka komentuar idenë e mazhorancës rreth rezolutës për mbrojtjen e territorit, e cila e shpërfaqi papërgjegjësinë dhe talljen e radhës së kësaj qeverie.

“Se sa e papërgjegjshme është kjo qeveri, tregon më së miri nxjerrja e një rezolute në mbrojtje të territorit, të cilën nuk e votuan as vetë”, tha Limaj.

Limaj tutje tha se rezolutat që nuk marrin shumicën e thjeshtë në Kuvend, përçojnë mesazh politik se ato rezoluta në përmbajtje janë të pa pranueshme duke mos gjetur mbështetjen e deputetëve.

“Kjo rezolutë u votua mbrëmë më 58 vota “për” dhe pesë “abstenime”. Rezoluta të tilla që nuk marrin të paktën shumicën minimale në Kuvend (61 vota), japin mesazh të qartë politik se përmbajtja e tyre refuzohet dhe nuk merr mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Në fund fare, ky është qëllimi i rezolutave për të rekomanduar objektiva apo përkushtime të Kuvendit, si mesazhe për opinionin e interesuar për temat e trajtuara në rezolutë”, theksoi tutje Limaj.

Kreu i Nismës, gjithashtu tha se mbrëmë mazhoranca aktuale dha mesazhin e qartë se dy partnerët e koalicionit qeverisës kanë dallime të theksuara mes vete.

“Mbrëmë mazhoranca ka dhënë mesazh se kanë dallime mes vete rreth kësaj teme dhe inkurajuan të gjithë ata të cilët janë për ndryshim kufijsh”, tha në fund të një statusi të tij në rrjetin social, facebook.

Të ngjashme