Linja ajrore Prishtinë-Beograd nuk ndikon në qëndrimin e BE-së për statusin

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Marrëveshja e cila rikthen në funksion linjën ajrore Prishtinë – Beograd, që u nënshkrua një ditë më parë, nuk ndikon dhe nuk do të ndryshojë qëndrimin e Bashkimit Europian rreth statusit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një adresim të tij në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik në Davos, konfirmoi se kjo shtëpi europiane, mbështet çdo lëvizje e cila kontribuon në rregullimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, njofton Klan Kosova.

”Bashkimi Europian mbështet çdo lëvizje dhe çdo pjesëmarrës që kontribuon në ndreçjen e raporteve mes Kosovës e Serbisë dhe popujve të të dyja vendeve”.

”Kjo është një nga rrugët se si duhet të ecet drejt normalizimit të marrëdhënieve në këtë rast mes të të dyja vendeve në arritjen e një marrëveshjeje”.

Sa i përket çështjes së statusit, BE, siç theksoi ai, nuk ka asgjë të re për të thënë.

“Një fluturim komercial midis dy vendeve nuk do të ndikojë ose ndryshojë qëndrimin e BE-së për statusin, që është një çështje që duhet të diskutohet në dialogun Beograd-Prishtinë”.

Ai foli edhe për bisedat e ndara telefonike që e Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell zhvilloi me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Peter Stano tha se Josep Borell kërkoi nga Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq për të nisur dialogun dhe për të njoftuar së shpejti rreth vizitës së tij, njofton Klan Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme