Lista Serbe nuk është angazhuar për integrimin e serbëve në Kosovë

Prishtinë | 03 Jan 2019 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal, është angazhuar shumë pak ose fare për integrimin e komunitetit serb në sistemin e Kosovës dhe në përgjithësi në shoqërinë e Kosovës, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike në vend.

Për më tepër, sipas tyre, Lista Serbe nuk ka përfaqësuar interesat e komunitetit serb që jeton në Kosovë, por interesat politike të Beogradit zyrtar, produkt i së cilës është kjo parti.

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresiste, thotë për Radion Evropa e Lirë se Lista Serbe, sidomos gjatë vitit 2018, ka punuar më tepër në drejtim të asaj që serbët lokalë t’i largojë nga përafrimi me institucionet e Kosovës.

“Nëse do të më duhej ta them me një fjali të shkurtë, atëherë mund të them që angazhimi i tyre gjatë këtij viti mund të përshkruhet me atë që kanë dhënë gjithçka nga vetja që ta dezintegrojnë serbët, e sidomos t’i dezintegrojnë lidhjet që janë krijuar ndërmjet popujve, si dhe atë shkallën e tolerancës dhe bashkëjetesës, për të cilat aq gjatë dhe me aq mund kemi punuar. Gjithçka ka degraduar në anashkalimin të tërësishëm, injorim dhe pamundësim të kundërshtimit të serbëve në Kosovë”, thotë Rashiq.

Ai shton që Lista Serbe, e cila, para së gjithash, është dashur t’i përfaqësojnë serbët e Kosovës, jo vetëm që nuk e kanë bërë këtë fare, por sipas tij, të gjitha veprimet e saj politike kanë qenë të drejtuara në atë që serbët, përmes presionit politik, sa më shumë t’i largojnë nga institucionet e Kosovës. Siç thotë ai, Lista Serbe i ka minimizuar institucionet e Kosovës në sytë e serbëve lokalë, ndërkohë që po këtyre institucioneve ua ka shfrytëzuar të gjitha kapacitetet për interesa personale të një grupi.

Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që rolin vendimtar për veprimet e Listës Serbe e ka Beogradi zyrtar. Nisur nga kjo, sipas tij, Lista Serbe faktikisht nuk i përfaqëson interesat e serbëve lokalë në Kosovë, por interesat e Beogradit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme