Matoshi: Për tre deri në 6 muaj Ballkani i Hapur do të harrohet

Prishtinë | 09 Qer 2022 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Halil Matoshi, ka thënë të enjten se brenda periudhës 3 deri më 6 muaj, “Ballkani i Hapur”, do të harrohet.

Ai këtë e argumenton mbi atë që amerikanët ia kanë dhënë vetëm një gjysmë mbështetje kësaj nisme rajonale.

Po ashtu ka përmendur një sërë të ideve që kanë dështuar, duke e përfshirë edhe këmbimin territorial të propozuar nga presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, në vitin 2018.

“Tre janë argumentet me të cilat Gabriel Escobar nuk ua prishi qefin ballkanasve dhe njikohësisht nuk e fajësoi Kosovën për qëndrimin kundër: a) Të gjithë dhe të barabartë (Parimi i sovranitetit të pjesëmarrësve); b) Jo projekt politik por ekonomik!(Parimi i besueshmënisë që âsht postulat politik); c) Janë disa nisma rajonale dhe nuk pranohet DUBLIFIKIMI; (Parimi i legalitetit të BE-së në qendër – Procesi i Berlinit)”, ka shkruar ndër tjerash Matoshi në Facebook.

Më 7 dhe 8 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut është mbajtur samiti i “Ballkanit të Hapur”.

Pos Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, kësaj radhe kanë marrë pjesë edhe Bosnje dhe Hercegovina si dhe Mali i Zi.

Kosova vazhdon ta kundërshtojë këtë projekt, duke pretenduar se nuk garanton paqe e stabilitet afatgjatë.

Ndërkaq, as Rusia nuk ka dalë kundër “Ballkanit të Hapur”, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë të hënën gjatë një konference për media në Kremlin se “Ballkani i Hapur është iniciativë e Serbisë”, madje ka akuzuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian që duan “Ballkan të mbyllur”. 

Të ngjashme