Miratohet marrëveshja e Kosovës me Kanadanë e Turqinë për njohje të patentë shoferëve

Prishtinë | 09 Shk 2022 | 11:21 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjeve mes Kosovës me Kanadanë dhe Turqinë për njohjen reciproke të patentë shoferëve, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se me këto marrëveshje qytetarët që kanë leje qëndrim në shtetet përkatëse nuk kanë nevojë të hynë në provime plotësuese apo teste.

Sveçla ka paralajmëruar se së shpejti pritet të finalizohet edhe marrëveshja mes Kosovës e Gjermanisë për patentë shoferë.

“Pas një angazhimi të gjatë pres që të përmbyllet me sukses këtë javë me njohje reciprokeve të patetëntë shoferëve me Republikën Federale të Gjermanisë”, tha Sveçla.

Ndërkohë në mbledhjen e Qeverisë po ashtu është miratuar propozim-vendimi për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli Evropian i BE-së ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve bjelloruse të ndërlidhura me regjimin e Aleksandar Lukashenkos.

Po ashtu edhe ka kaluar nisma për lidhjen e marrëveshjes financiare për IPA 2021 mes Kosovës e BE-së. Sipas kësaj marrëveshje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova përfiton 63.96 milionë euro dhe këto fonde do të dedikohen për projekte për komuna, mjedis, deminim, përkrahje për bujqësi, zhvillim rural dhe treg të brendshëm.

Po ashtu u themelua Këshilli Organizativ për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me datë 5,6 dhe 7 mars 2022.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se Epopeja e UÇK-së ndryshoi historinë për mbarë të Kosovës.

“Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë për mbarë dhe e bëri popullin bashkë. Çdo progres i yni duket pak për gjithçka çka ka dhënë familja Jashari”, tha ai.

Kryesues i këtij Këshilli është zgjedhur Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Të ngjashme