Miratohet Projektligji për Dialogun me Serbinë

Prishtinë | 30 Jan 2019 | 12:59 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me gjashtë vota për dhe tre kundër është miratuar Projektligji për Dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme, raporton Ekonomia Online.

Kjo mbledhje e jashtëzakonshme u mbajt me kërkesë të deputetëve të pozitës, në të cilën opozita ka akuzuar pozitën se pa pyetur ka tentuar të mbajë këtë takim.

Kryetarja Komisioni, Vjosa Osmani, ka thënë se pozita ka tentuar të mbledh nënshkrime pa pyetur opozitën dhe se kanë menduar të mbajnë mbledhjen pa praninë e deputetëve të LDK-së e VV-së.

Osmani tha se ky Projektligj po i jep timonin e kreut të një komune ndërsa është proklamuar se Kuvendi do të ketë rolin primar.

“Ky ligj nuk pozicionohet dhe nuk tregon cili është qëndrimi për negociatat që i ka bërë presidenti i vendit për 1 vit e gjysmë. Rezoluta e cila ka karakter politik e përmend pavendosshmërinë e integritetit territorial”.

“Kjo rezolutë nuk po e ndalon asnjë subjekt që të negociojë për këtë temë. Është interpretuar ky ligj si mënyrë e dhënies së timonit Kuvendit të Kosovës dhe në krye të këtij timoni kemi kryetarin e një komune”.

“Është parim që me të jetën metodë që emërohet një trup po ashtu edhe shkarkohet. Për shkarkimi e këtij delegacioni kërkohen 50+1.”

Sipas saj, ky Projektligj nuk është transparent.

“Ju po flisni për transparencë për derisa vetë teksti i këtij projektligji tregon që të gjitha mbledhjet brenda këtij ligji do jenë sekrete zyrtare”.

Deputeti i PSD-së, Dukagjin Gorani ka mohuar këto akuza, duke thënë se deputetët kanë qenë të njoftuar për përmbajtjen dhe qëllimin e mbledhjes.

“E rëndësishme është që ky ligj t’u shkojë sa më shpejtë deputetëve”.

Gorani tha se të pakënaqurit me këtë projektligj dinë vetëm të vajtojnë e jo të diskutojnë.

“Ky projektligj është një rezultat i një përpjekje më të gjatë që të kontribuojë në kë proces që konsiderohet si i pashmangshëm”.

“E kemi pa të domosdoshme që të përpiqemi të gjejmë një formulim ligjor që të adresohen vërejtjet dhe frika që u diskutua sot. Para vetës e keni projektligjin që mund të mosjetë i përkryer dhe nuk keni alternativë tjetër ju përveç vajtimeve”.

Deputetja tjetër e LDK-së, Doruntinë Maloku ka thënë se Komisioni po trajton një projektligj antikushtetues.

“Është për keqardhje që në në këtë komision po diskutojmë një ligj që është antikushtetues. Dialogu që është filluar në kohën e kryeministrit Mustafa nuk ka qenë faza e fundit e dialogut. E vetmja çështje që më dhemb është çështja e këtij vendi dhe asnjë provë tjetër”.

“Nëse kaq shumë ju dhemb atëherë nuk sillni në Kuvend këso dokumente pa vlerë. Unë jam krenare që me e konsiderojmë të pa vlerë një dokument që nuk e parasheh kushtetuta me ardhur në Kuvend të Kosovës”.

Ndërsa deputeti i VV-së, Glauk Konjufca tha se presidenti i Kosovës ka manipuluar me deklaratën kur ka thënë që do diskutohet për 430 kilometra territor me shtetin e Serbisë.

Ai tha se presidenti personalisht ka folur edhe me ekspertë ku i kanë thënë Konjufcës se nuk bëhet fjalë për 430 por për 370 kilometra.

Sipas Konjufcës presidenti po ia falë Serbisë edhe 70 kilometra shtesë, raporton EO.

“Mendoj që dialogu me Serbinë ka shkuar shumë larg sa i përket projektit të presidentit. Dhe presidenti në shtator të vitit të kaluar ka folur edhe me kilometra katrorë sa i përket Serbisë. Presidenti e ka idenë me folur edhe për 60 kilometra të tjera më tepër”.

“Dhe kjo është shqetësuese që një president të sillet dhe të thotë që një kufi i cili i ka 370 kilometra të thotë që ai kufi i ka 430 kilometra. Mbrapa kësaj ekziston një projekt që presidenti ynë ka folur me Aleksandar Vuçiqin”.

“Presidenti prej vitit të kaluar e ka shkelë shumë shpesh Kushtetutën. Ky ligj e shkel ligjin organik të Kosovës. Presidenti duhet ta tregojë substancën që e la bo me Vuçiqin se si është afër të arrihet marrëveshja me Serbinë”.

Ndërsa deputeti i Nismës Zafir Berisha tha se partia e tij e mbështesin këtë projektligj edhe pse sipas tij, ai mund t’i përmbajë disa probleme.

“Është një përpjekje e arsyeshme kësaj mazhorance, por në situatën që gjendemi është normale, por edhe përgjegjësi ligjore edhe njerëzore karshi zhvillimet të fundit në Kosovë”.

“Qëndrimi politik i imi është që ne duhet ta tejkalojmë vetveten që t’i shërbejmë një kauzë që është e rëndësishme për shoqërinë dhe të ardhmen dhe unë do e mbështesë këtë ligj”.

“Ne duhet të bëhemi bashkë ta demantojmë presidentin dhe mos ta lëmë të veprojmë. Ne sot e kemi një Projektligj, por njëkohësisht është dashtë që të votohet në parim, por nuk do të thotë që nuk mund të plotësohet dhe ndryshohet”.

Të ngjashme