Mustafa i reagon Hoxhajt për Asociacionin: Pse vazhdon avazin e gënjeshtrave

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj, lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Mustafa, ka thënë se Hoxhaj si ish-ministër i Jashtëm, e di se marrëveshja për Asociacionin është nënshkruar në marrëveshjen e parë, të cilën e ka nënshkruar Hashim Thaçi, në vitin 2013.

Ai ka thënë se Hoxhaj gënjen për marrëveshjen.

Postimi i plotë:

Pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë nga foltorja e Kuvendit?!

 Është profesor universitar, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës; një kohë ministër i jashtëm sa kam qenë unë Kryeministër.

Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është në Marrëveshjen e Parë, të cilën e ka negociuar dhe e ka nënshkruar Kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi (jo Isa Mustafa siç gënjen Enveri). Marrëveshja është ratifikuar me Ligj,  në vitin 2013, me 2/3 e Kuvendit dhe është bërë obligim ndërkombëtar.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se Asociacioni do të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë e ratifikuar nga Kuvendi dhe e shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Unë kam nënshkruar një marrëveshje të parimeve të përgjithshme për implementimin e Marrëveshjes së Parë, si pjesë e zbatimit të Ligjit për ratifikimin e kësaj Marrëveshje.

E kam instaluar dhe fuqizuar rolin e Gjykatës kushtetuese, si arbitër përfundimtar.  Por, të thuhet se unë e kam bërë marrëveshjen në vitin 2015 për themelimin e Asociacionit, kur për te është vendosur në vitin 2013, është e pavërtetë absolute. Pse vazhdon avazin e gënjeshtrave Enver Hoxhaj, ai e di. Por me rrenë nuk i bënë mirë as partisë së tij e lere më Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme